2015-11-05 12:10:00

Papa: i krishteri pranon, nuk i mbyll portat, farizejtë përjashtojnë


I krishteri ia hap, nuk ia mbyll portat askujt, edhe në se tjetri  kundërshton. Kush përjashton, ngaqë beson se është më i mirë, krijon konflikte e përçarje e do të japë llogari një ditë para gjykatës së Zotit. Këtë pohoi Papa gjatë homelisë së Meshës, kremtuar në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës.

Jezusi ia hap gjithkujt portat

Në Letrën drejtuar Romakëve, Shën Pali i porosit të krishterët të mos e gjykojnë, as të mos e përbuzin vëllain, sepse kjo, pohoi Papa, çon në përjashtimin e tjetrit nga “grupi ynë i zgjedhur”, na shtyn të përzgjedhim, e kjo nuk është sjellje e krishterë. Krishti, me fljimin e Tij mbi Kalvar  i bashkon e i pranon të gjithë njerëzit në shëlbim. Në rrëfimin ungjillor  shikojmë sesi publikanët e mëkatarët, domethënë të përjashtuarit, të gjithë ata që ishin përjashta, i afrohen Krishtit, ndërsa farizejtë e skribët mërmërisin:

“Sjellja e skribëve dhe e farizejve  është po ajo: përjashtojnë: ‘Ne jemi të përkryer, ne ndjekim ligjin. Këta janë mëkatarë, janë publikanë! Ndërsa sjellja e Jezusit është të përfshijë, t’ua hapë të gjithëve portat e amshimit. Dy janë rrugët, që mund të ndjekim në jetë: rruga e përjashtimit të njerëzve nga bashkësia jonë dhe rruga e pranimit, e pëfshirjes në këtë bashkësi. E para mund të jetë e vogël, por është rrënja e të gjitha luftërave; të gjitha fatkeqësitë, të gjitha luftërat nisin pikërisht me përjashtimin. Përjashtim nga bashkësia ndërkombëtare, por edhe nga familjet, nga rrethi i miqve,  për shkak të sherreve… Ndërsa rruga, që Jezusi na bën ta shikojmë e na e mëson, është krejt tjetër, është fare në kundërshtim me përjashtimin. Jezusi na mëson përfshirjen, ‘pranimin!”.

Ka edhe kundërshtime përballë portës së hapur

Nuk është aspak e lehtë t’i përfshish njerëzit, vërejti Papa, sepse ka edhe kundërshtime, ka edhe përzgjedhje. Prandaj Jezusi tregon dy shëmbëlltyrë: atë të deles së humbur e të gruas, që humbet një monedhë. Si bariu, ashtu edhe gruaja, bëjnë çmos për ta rigjetur gjënë e humbur. E kur e gjejnë, mbushen me gëzim.

Janë plot me gëzim, sepse gjetën çka u kishte humbur e shkojnë edhe tek fqinjët, tek miqtë, për ta përhapur lumturinë e tyre: “E gjeta, e  kam përsëri në vathë, në shtëpi!”. Kjo është përfshirja e Zotit, në kundërshtim me përjashtimin e atyre, që gjykojnë, që i flakin tutje njerëzit: “Jo, ky jo, as ky e as ky tjetri….”. E bëhet një rreth i vogël miqsh. Është dialektika ndërmjet përjashtimit e përfshirjes. Zoti na përfshiu të gjithë në shëlbim, të gjithë! Kjo është fillesa. Ne, me ligështitë tona, me mëkatet tona, me zilitë, mëritë, kemi gjithnjë prirjen për të përjashtuar, gjë që, siç e thashë, mund të përfundojë me luftë.

Nëse përjashtoj, do të përgjigjem një ditë para gjykatës së Zotit

Jezusi, pohoi Françesku, bën ashtu si Ati, që e dërgoi për të na shpëtuar. Na kërkon, për të na kthyer në shtëpi, për të qenë një familje e vetme:

“Të mendojmë paksa e të paktën të bëjmë një hap sado të vogël, të mos gjykojmë kurrë: ‘Po ky bën kështu e ashtu….’: Po Zoti e di, është jeta e tij, por unë nuk e përjashtoj kurrë nga zemra ime, nga lutja ime, nga përshëndetja ime, nga buzëqeshja ime, e nëse më krijohet rasti, i them edhe një fjalë të mirë.  Kurrë më përjashtime! Nuk e kemi këtë të drejtë! E si përfundon Pali, në leximin e sotëm? “Të gjithë, pa përjashtim, do të paraqitemi para gjyqit të Zotit”. Secili nga ne do të japë llogari për bëmat e  tij para vetë Zotit. Nëse unë përjashtoj, do të jem një ditë para gjykatës së Zotit e do të më duhet të jap llogari për vetveten. Të kërkojmë hirin për të qenë burra e gra, që pranojnë, që përfshijnë gjithnjë. Që nuk ia mbyllin kurrë portat askujt. Përkundrazi, i hapin portat e zemrat. Më pëlqen, nuk më pëlqen, por zemrën e kam të hapur. Zoti na e dhëntë këtë hir!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.