2015-11-05 17:04:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 32-të gjatë vitit kishtar “B”


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore të Fjalës së Zotit të dielës së 32-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik.

Tema e liturgjisë së Fjalës së Zotit e kësaj së diele është mikpritja e bujaria. Leximet biblike të kësaj së diele tregojnë historinë e dy grave të veja e të varfëra, por të afta të dhurojnë veten e gjithçka kanë për mbijetesë.  Mikpritja e bujaria shpërblehen, kompensohen nga mrekullia e Elisë profet ( Leximi I nga Libri i parë i Mbretërve 17,10-16). Po kështu edhe bujaria e përvujtë e vejushës së dytë, e cila meriton lëvdatën  e jashtëzakonshme nga Jezusi ( Pjesa Ungjillit kësaj së diele nga Marku 12,38-44).

Këto dy gra të veja, në aftësinë e tyre të bujarisë, të dhurimit, të zemërgjerësisë së tyre shëmbëllejnë figurën e Krishtit, i cili ka ofruar vetveten, një herë e përgjithmonë, për shëlbimin e mbarë njerëzimit, pra për çlirimin e njerëzimit nga egoizmi, nga robëria e mëkatit dhe e vdekjes.

Këta shembuj  themelor për fenë e krishterë, sot është objekt edhe i  lutjes së Meshës së kësaj të diele. Në të vërtetë, në lutjen e dytë të Meshës, ne si besimtarë, i kërkojnë Zotit ndihmë në mënyrë që “…të gjithë të mësojmë të falim, të mësojmë të dhurojmë, sipas shembullin të Atij që ka dhuruar vetveten…”.

Libri parë i Mbretërve na rrëfen për takimin e Elisë profet me një vejush nga Serepta. Buka nuk është gjë e madhe: por është shumë kur kjo lidhet me mbijetesën e ekzistencës. Është pikërisht kjo që bëri vejusha e Sareptës me Elinë. Profeti nuk heziton, as nuk ka frikë ti kërkojë gjithçka i mbetët kësaj vejushe për mbijetesë, dhe ajo, i beson profetit e dhuron gjithçka kishte. Në këtë vejusha e Sareptës bëhet simbol i atyre që janë të aftë ti besojnë Zotit e të mbështeten në Fjalën e Tij Hyjnore, përkundra të gjitha vështirësive të jetës.

Kështu, Krishti, siç pohon Letra e Hebrenjve (Leximi II Heb 9.24-28): është Ai, ndërmjetësues i vetëm, ndërmjet njerëzve e Hyjit, Ai ka ofruar e dhuruar vetveten Atit Qiellor, njëherë e përgjithmonë, për shpëtimin e çdo njeriu, të mbarë njerëzimit. Në këtë dhurim të vetëm e përfundimtar, Jezusi bartë me vete mbarë njerëzimin, që tani mund të shpresojë në përqafimin e Atit Qiellor.

E veja, për të cilën na flet pjesa e Ungjillit të kësaj së diele (Mk 12.38-44), lavdërohet nga Jezusi, jo për  ofertën e saj të vogël e të pakët që fali në tempull, por sepse me atë ofertë ajo dha “gjithë atë që kishte për të jetuar”. Kjo fjali përmbledhë e pasqyron gatishmërinë e plotë të kësaj gruaje të varfër, e cila në atë shenjë të vogël që fali, dhuroi tërë vetveten. Për këtë arsye ajo bëhet shenjë e dashurisë së Zotit.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele, na flet për një realitet që duket se është harruar nga shoqëria jonë e pasur dhe e ngopur bashkëkohore, na flet për provaninë Hyjnore, që është fryt i fesë së vërtetë e të gjallë në Të, në Hyjin.

Një grua e vejë e Sareptës e dhuron bukën e mbrame që kishte. Një tjetër grua e vejë e Jerusalemit, e dhuron paranë e fundit që kishte. Dy gra, të varfëra, pa identitet, pa emër, të lënduara në dashuri, e dorëzojnë jetën e tyre.

Në Sareptë përgjigjja është një mrekulli, buka e pashtershme, buka që nuk ka të mbaruar.

Në Jeruzalem nuk ka kurrfarë mrekullie. Po mrekullia tashmë ka ndodhur, është dhurimi i pjesës së mbrame të jetës: kështu të japësh, do të thotë të jetosh, të mbash vetëm për vete, do të thotë të vdesësh.

Gjesti që dy gratë bëjnë është diçka e palogjikshme, nuk është punë e mençur. Nuk është urti të hedhësh paratë e vogla që ke në thesarin e tempullit. Nuk është punë e mençur, por është shkandull i shpresës.

Kësaj gruaje, nuk i dimë as emrin, nuk ia njohim as fytyrën, as sytë e saj, por njohim zemrën e saj, me rrahjet e veta të çuditshme, ato të vetmisë, të varfërisë, por edhe të shpresës. Shpresa e dëshpërimit të atij që e provokon Zotin e gati gati e detyron: unë kam menduar në Ty, të kam konsideruar e trajtuar si Thesarin e gjënë më të rëndësishme të jetës sime. Tani të takon Ty të mendosh për mua.

Jezusi, ulur, vështron se si njerëzit hidhnin monedha në thesarin e tempullit. Vështron jo sa jepnin, por si i dhuronin. Jezusi nuk shikon sasinë, por  me sa zemër  e bëjnë gjestin e bujarisë e të dashurisë, me sa vërtetësi e zemër të pastër dhurojnë e ndihmojmë të tjerët. Zotit nuk i jepet as shumë, as pak, as asgjë, por gjithçka.

Emisionin kushtuar liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së diele mund ta dëgjoni edhe këtu....

       Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë   1 Mbr 17, 10-16

Çfarë duhet të admirojmë më shumë në këtë pjesë: besimin e profetit Elia apo bujarinë e vejushës së shkretë që heq dorë nga ushqimi i pakët i mbetur për t’ia dhënë profetit?  Elia, njeri i Hyjit, pranon varfërinë e tij të thellë dhe i kërkon ndihmë një paganeje për të vazhduar të jetojë.  Ndërsa vejusha është e gatshme të japë të gjithë ushqimin duke mos menduar për atë që do të ndodhë nesër.  Kush ka dhënë gjithçka nuk habitet kur merr gjithçka.

Lexim prej Librit të parë të Mbretërve

Në ato ditë, Elia u çua e shkoi në Sareptë. Kur arriti te dyert e qytetit, gjeti një grua të vejë duke mbledhur dru. Elia e thirri e i tha: “Ma sill pak ujë në katrovë që të pi.” Kur u nis ajo për t’i sjellë ujë, ky e thirri prapë dhe i tha: “Të lutem, më sill edhe një kafshatë bukë në dorë!” Ajo iu përgjigj: “Pasha Zotin, Hyjin tënd, unë nuk kam bukë, por vetëm një grusht miell në tinar dhe pakëz vaj në qyp. Ja, po i mbledh dy-tre dru e do të shkoj në shtëpi për ta gatuar për mua e për djalin tim, do ta hamë e do të vdesim.” Por Elia i tha: “Mos ki frikë aspak por shko e bëj siç the; porse më parë ma piq mua një kulaç të vogël me atë miell që ke e ma sill, dhe pastaj gatuaj për vete e për djalin tënd. Sepse kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: ‘Në tinar mielli s’do të mbarojë, në qyp vaji s’do të mbarojë – derisa të vijë dita që Zoti të falë shi mbi tokë’.” Ajo shkoi e bëri si i tha Elia. Dhe u ushqye ajo, Elia dhe familja e saj për shumë ditë. Tinari i miellit nuk u mbarua as qypi i vajit nuk u pakësua sipas fjalës së Zotit që e tha me anë të Elisë. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 146

Lum skamnorët në shpirt: sepse e tyre

është Mbretëria qiellore

Zoti e mban besnikërinë për amshim,

u jep të drejtën të nëpërkëmburve,

u jep ushqim të uriturve.

Zoti i çliron robërit.

 

Zoti u jep dritën e syve të verbërve,

Zoti i ndreq të kërrusurit,

Zoti i do të drejtët,

Zoti i mbron ardhacakët.

 

U ndihmon bonjakëve e të vejave,

ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.

Zoti do të mbretërojë për jetë,

Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni.

Leximi dytë Hb  9,24-28

Kryepriftërinjtë hynin në shenjtëroren e tempullit një herë në vit.  Kur Jezusi, nëpërmjet kryqit hyn në shenjtëroren e qiejve, veprimi i tij nuk mund të përsëritet: ndodh një herë e përgjithmonë.  Për historinë universale, vdekja e Krishtit është përmbysja më e madhe pas së cilës njerëzimi nuk mund të kthehet prapa, dhe lufta e njerëzve bëhet një ringjallje ashtu si ajo e Jezusit.

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Krishti nuk hyri në Shenjtëroren e Shenjtëroreve të punuar me dorë, që është vetëm shembëllesë e thjeshtë e asaj të vërtetës, por drejt në qiell: që tani të ndërmjetësojë për ne para fytyrës së Hyjit. Jo veç, që shumë herë ta flijojë vetveten sikurse kryeprifti çdo vit hyn në Shenjtëroren e Shenjtëroreve me gjak të huaj; - përndryshe i ishte dashur të pësojë shumë herë qysh prej krijimit të rruzullit. Por tani u dëftua një herë të vetme – në mbarimin e kohës – për ta asgjësuar mëkatin me anën e flijimit të vetvetës.  Dhe, sikurse njerëzve u duhet një herë të vdesin – e pastaj vjen gjyqi – kështu edhe Krishti: u flijua vetëm një herë për të shlyer mëkatet e të gjithëve, kurse herën e dytë – jo më në lidhje me mëkate – do t’u duket atyre që e presin për të qenë shëlbuar.  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Aleluja. Aleluja.

Ejani të bekuarit e Atit tim, thotë Zoti,

merrne në prone Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës.

Aleluja.

Ungjilli   Mk 12, 38-44

Edhe sot në mes nesh fshihen skribët që kërkojnë vendin e parë dhe të jenë të nderuar.  Sa herë edhe të krishterët kanë ngrënë lekët e të varfërve me pretekstin për të ndërtuar një shtëpi lutjeje.  Figura e vejushës që hedh ofertën e saj të mjerë në thesarin e tempullit, do të tregojë urdhërimin e dashurisë së Hyjit.  Hyji sheh zemrën.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: “Ruajuni prej skribëve, të cilëve u pëlqen të shëtisin në petka të gjata, t’i përshëndesin tjerët në sheshe, të zënë selitë e para në sinagoga e kryet e vendit në gosti. Ata i përlajnë shtëpitë e vejushave, e këndej kinse thonë uratë të gjata! Këta do të gjykohen veçanërisht rreptë!”  Pastaj u ul kundruall arkës e vërente si populli qitte para në arkë. Shumë pasanikë qitnin shumë. Erdhi gjithashtu një vejushë skamnore. Ajo qiti dy lepta, domethënë një të katërt të asit.

Atëherë Jezusi i grishi nxënësit e vet dhe u tha: “Për të vërtetë po ju them: kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë të tjerët që qitën para në arkë. Sepse të gjithë qitën prej tepricës, kurse kjo prej skamjes së vet qiti gjithçka pati: gjithë sa pati për jetesën e vet.” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.

Homelia: Feja e dhënies

Liturgjia e kësaj të diele na paraqet dy vejusha: mikpritja e së parës shpërblehet nëpërmjet mrekullisë së Elisë, siç kemi dëgjuar nga Libri I i Mbretërve dhe bujaria e përulur e së dytës, meriton një lavdërim nga Krishti, i cili e kthen atë në simbol të dhurimit  të vetvetes, siç kemi dëgjuar te Ungjilli. Bujaria e këtyre dy grave bëhet akoma më domethënëse nëse krahasohet me kontrastin e tyre: në leximin e parë mbretëresha Gezabela që jeton në luks duke i përçmuar të varfrit (krah. 1 Mbr. 21) dhe nga ana tjetër skribët pasanikë të cilët “përlajnë shtëpitë e vejushave” dhe janë përherë në kërkim të vendeve të para.

Antiteza të pasur-të varfër (në rastin tonë skribët dhe vejusha) është një mënyrë shumë e përdorur në fjalimet eskatologjike të Krishtit. E gjejmë te lumturitë (Lk 6, 20-24) ku antiteza të pasur-të varfër shërben së pari për të lajmëruar ardhjen e mbretërisë së Hyjit dhe përmbysjen e gjendjeve njerëzore abuzive dhe shfrytëzuese. Këto lloj fjalimesh nuk duan aq të jenë një apologji ose kritikë e këtij apo atij grupimi apo shtrese shoqërore, por dëshiron të nënvizojë ardhjen e kohëve përfundimtare që do të sjellë  një përmbysje në skemat njerëzore.

Vejusha ka dhënë gjithçka, në të kundërt me të pasurin, që japin prej madhështisë dhe mendjemadhësisë së tyre. Veprimi i vejushës të cilin ajo e kryen në heshtje, është një veprim lutjeje, besimi dhe dashurie. Dhurata është totale, akoma edhe më madhështore në përpjekjen e saj për tu fshehur. Fjalët lavdëruese të Jezusit tregojnë se metri matës i tij është përtej dukjeve njerëzore, sepse ai arrin në zemrën e njeriut. Të japësh porsi vejusha është të japësh porsi Zoti, sepse është ai i pari i cili nuk jep nga tepria, nuk na jep nga ajo çfarë ka, por nga ajo çfarë ai është: vetë jetën e  tij hyjnore. Jezusi i varfër dhe shërbyes i njerëzve nuk është një hije e jetës hyjnore, por shpallja e tij më e plotë. Ai nuk është dikush që na ka ardhur të na vizitojë si turist, neve banorët e një tokë të pazhvilluar: Jezusi është ai që është përulur edhe pse me natyrë hyjnore, qe në të bëhemi pjesëtarë të kësaj jete.

Reflektimet mbi këtë personazh të ungjillit na shtyjnë të mendojmë mbi domethënien e pasurisë dhe të varfërisë në jetën tonë. Kisha qysh në fillimet e saj e ka parë si të pandarë shërbesën e kremtimit të eukaristisë nga ushtrimi i dashurisë (agape) në jetën e atyre  njerëzve të afërt apo të largët qofshin ata, të cilët duhet të ndihmohen në nevojat e tyre. Kjo ka qenë edhe një ndër shenjat e dallimit të të krishterëve.

Ky aspekt është nënvizuar me forcë në Letrën enciklike të Atit të Shenjtë Benedikti XVI Deus caritas est, i cili na kujton se ushtrimi i dashurisë  dhe mbajtja në këmbë e këtyre strukturave janë pjesë përbërëse e misionit të Kishës.

Le t’i besohemi edhe ne mëshirës së Zotit në këtë të diel. që nëpërmjet një përvojë të fortë të kremtimit të eukaristisë në ditën e Ngjalljes së Zotërisë së jetës, të dimë të japim fryte të qëndrueshme dashurie dhe bamirësie. 

Don Arian Shkurti








All the contents on this site are copyrighted ©.