2015-11-05 17:49:00

Libri ri i Injac Zamputtit “Dokumente mbi historinë e Shqipërisë” (1623-1653)


Doli nga botimi libri ri i prof. Injac Zamputtit “Dokumente për historinë e Shqipërisë “(1623-1653). Një vepër botuar pas vdekjes së autorit, në vazhdim e në plotësim të veprave të tij të mëparshme në fushën e historisë së Shqipërisë: dy vëllimet mbi periudhën 1479-1506 (pjesa parë 1479-1499, Tiranë 1967; pjesa dytë 1499-1506,Tiranë 1979) dhe tre vëllimet mbi periudhën: 1507-1592; 1593-1602;1603-1621.
Vëllimi ri,  kujtojme se do te provomohet me daten 12 Nentor, ora 11, ne sallen UNESCO, ne Muzeun Historik, Tiranem, në pjesën më të madhe, ka dokumente të pabotuara, të cilat, i biri i autorit, Jozef Zamputti, i ka transkriptuar nga dorëshkrimet dhe shënimet e autorit, që ka studiuar dokumentet nga fondet e ndryshme të Arkivit të Selisë së Shenjtë e kryesisht ato nga Kongregata ‘Propaganda Fide’, dokumente me një përmbajtje që hedhin më tej dritë e plotësojnë edhe më shumë historinë e shqiptarëve. Po më tepër mbi këtë vepër, në mikrofonin e Radio Vatikanit të dëgjojmë Jozef Zamputtin...

DISA   FJALË  MBI   VËLLIMIN   E   SAPOBOTUAR  “DOKUMENTE   MBI   HISTORINË   E   SHQIPËRISË    (1623-1653)” nga Jozef Zamputti

 Vëllimi “Dokumente për Historinë e Shqipërisë (1623-1653) është një vazhdim dhe plotësim i vëllimeve të tjera me dokumente botuar nga autori para këtij të fundit. E ka përfunduar rreth viteve 1990-1991. Si gjithnjë ka punuar mbi mikrofilmat dhe fotokopjet që ia sillnin të tjerët nga arkivat e ndryshme, sidomos nga Arkivi i Vatikanit, kryesisht ai i Propaganda Fides. Atë vetë nuk e lanë asnjëherë të dilte e t’i shihte me sytë e vet origjinalet në ato arkiva. Por, duke pasur njohuri se ku gjendeshin ato dokumente, i drejtonte personat që dilnin jashtë Shqipërisë aty ku duhej. Këto baza për gjetjen dhe leximin e dokumenteve kanë filluar qysh në moshë mjaft të re tek ai, qysh në vitet ’30 të shekullit të kaluar, në Kolegjin Saverian ku ishte mësues, nën drejtimin e albanologut të mirënjohur A. Z. Valentinit.

Edhe për këtë vëllim, metoda e punës së autorit është po ajo e vëllimeve të mëparshme: leximi i qëmtuar i dokumentit, duke e hedhur me shkrimin e tij të bukur e të qartë në fletore të veçantë. Kjo punë bëhej shpesh me thjerrëz (lente) në dorë për të gjetur edhe pikat më të vogla e shkronjat më të ngatërruara të shkrimeve nganjëherë pothuaj të palexueshme e shpesh të prishura nga koha. Nga fletorja e shkruar këtë lexim e hidhte në makinën e shkrimit. Edhe këtë punë gjithmonë e ka bërë ai vetë pa ia dhënë asnjë daktilografisti, sepse , me këtë mënyrë, kontrollonte edhe një herë saktësinë e transkriptimit. Pastaj fillonte punën e përkthimit, të cilën e bënte direkt në makinën e shkrimit. Njëkohësisht ndërtonte skedarët me emrat e personave, vendeve etj. duke shënuar numrin e dokumentit dhe faqen se ku gjendeshin. Kjo listë emrash vendosej në fund të vëllimit në mënyrë që studjuesi e lexuesi të kishte mundësi ta gjente menjëherë dokumentin ku flitej për atë person, për atë vend etj.

Para se të kalonte në jetën e amshuar, që për autorin ishte “jeta e vërtetë”, më 1998, ma la amanet këtë vëllim për t’u kujdesur për botim. Në dosjen e ndërtuar nga autori për këtë vëllim  gjenden të shtypura me makinë shkrimi tri lidhje: njëra me transkriptimet e origjinaleve, e dyta me përkthimet dhe e treta me listat e personave e të vendeve. Kësaj here ka shtuar edhe një listë me disa çështje e të dhëna që gjenden në këto dokumente, si p.sh: arsimi, bestytnitë, dasmat, familja etj.

Vëllimi hapet me një shënim të autorit mbi dosjen e punimit:

“Ky vëllim është ndërtuar si plotësim i dy vëllimeve të mija “Relacione” etj.
Ka materiale të reja të transkriptuara e të përkthyera prej meje të njëkohshme me ato të Relacioneve.
Kam materiale të tjera nga A. Pr. F. të transkriptuara më vonë që mund të futen në këtë vëllim”.

 Punën për ta përgatitur për shtyp e fillova menjëherë dhe, megjithëse m’u desh mjaft kohë, e pata shumë më lehtë se autori, sepse sapo kisha blerë kompjuterin e parë dhe as që krahasohej me mundimin e makinës së shkrimit. Për shtyp, me kompjuter, e përgatita njëlloj si vëllimet e mëparshme. Pra, në fillim, lista e dokumenteve shqip dhe italisht. Pastaj çdo dokument me numrin e vet, kokën e dokumentit shqip dhe italisht e, në vazhdim, dokumenti në dy shtylla: majtas, origjinali, djathtas, përkthimi. Në fund të dokumentit burimi nga është marrë; p.sh. Arkivi i Propaganda Fide, v. 263, f° 22-23. Gjithsej janë 169 dokumente. Mbas këtyre kemi vënë ato dokumente, për të cilat flet autori, të transkriptuara e të papërkthyera dhe janë 61 të tilla. Siç e çekëm më lart, më pas vijnë listat e çështjeve, personave e vendeve që trajtohen në këto dokumente. Në fund kemi sjellë jetëshkrimin e autorit dhe bibliografinë e tij. Kjo e fundit ishte përgatitur nga ai vetë duke filluar nga botimet e paraluftës. Kemi shtuar ato punime të botuara pas vdekjes së tij. Çdo dokument është i pajisur nga autori me shënimet përkatëse që sqarojnë mjaft probleme.Vëllimi ka gjithsej 580 faqe.

 Me gjithë përpjekjet e mija, i pamësuar me këto gjëra, e pashë se nuk ishte e lehtë tashmë në ekonominë e tregut të gjendej një botues, sidomos për një libër të tillë që është më shumë për studjuesit dhe dashamirësit e historisë. Prandaj ka kaluar mjaft kohë që nga përgatitja e vëllimit. Dëshira ishte që të botohej me rastin e 100 vjetorit të lindjes së autorit që u përkujtua në Tiranë më 12 shkurt 2010. Më në fund u gjet dhe marr rastin të falënderoj botuesin zotin Albert Ramaj që e mori përsipër, Albanisches Institut në St. Gallen dhe shtëpinë botuese “Faik Konica” në Prishtinë.

Po citojmë fjalët e autorit në parathënie për këtë vëllim:

 “ Periudha e pasqyruar në këtë vëllim, e përfshirë ndërmjet viteve 1623-1653, karakterizohet për Shqipërinë Veriore, duke përfshirë edhe Kosovën, dhe për Shqipërinë Qendrore, nga një veprimtari intensive e kishës katolike e cila, e mundur në Veriun europian, e ktheu vemendjen e saj politike, përveçse drejt Amerikës Latine e gjetkë, edhe drejt vendeve të jug-lindjes europiane të pushtuara nga Perandoria Otomane. Kjo veprimtari, që synonte të rivendoste pozicionet e kishës katolike në vendin tonë, u udhëhoq nga Kongregacioni i Propaganda Fides, duke përfshirë klerin e vendit e duke themeluar misione me fretërit françeskanë italianë … Këto dokumenta të nxjerra nga Arkivi i Propaganda Fides trajtojnë kryesisht çështjet kishtare e misionare ku pasqyrohen edhe konfliktet midis klerit vendas e atij të huaj”.

   Dhe në mbyllje po citojmë dy copëza nga dy dokumente. I pari me numër 63 i shkurtit 1640, i misionarit Jacint nga Sospelo, i cili analizon veprën misionare në Shqipëri dhe që ia drejton Propaganda Fides:

     “ Misionarët nuk kanë gjetur një mënyrë më të mirë për t’i nxjerrë nga padija ata të shkretë popuj të krishterë dhe e kanë prekur me dorë se nuk mund të bëhet një përparim më i madh veçse duke u dhënë mësim bijve të tyre. Prandaj po referohet se kanë qenë ngritur dy shkolla, por njëra – falë armiqve të së mirës dhe atyre që nuk kanë zell për përfitim shpirtëror – zgjati pak kohë. U bëhet pra lutje Zotërive Tuaja shumë të larta që t’u jepni fakultet (autorizim) misionarëve që, jo vetëm ta ngrejnë përsëri atë që është mbyllur në fshatin e Blinishtit të Zadrimës ku ishte më parë, por, nëse ka mundësi, të hapen edhe të tjera. Njëkohësisht jeni të lutur të njoftoni peshkopët e përnderuar dhe priftërinjtë e nderuar, që të mos e pengojnë, bile ta përkrahin një vepër kaq shumë të frytshme”. Dhe për këtë frazë të fundit, autori shënon për sqarim: “Me këto fjalë, dhe të tjera të kësaj pike, kuptohet se pengesat për shkolla kishin rrjedhur nga kleri vendas që, ndoshta, donte ta merrte vetë në dorë drejtimin e arsimit. Të mos harrohet se, në Zadrimë, ishte peshkop Frang Bardhi”.

     Ja dhe një pjesë nga një letër e Frang Bardhit drejtuar një prelati në Romë më 6 nëntor 1639:  “Vetëm sepse këta (misionarët françeskanë) kishin ndërtuar një uratore pak ndryshe prej zakonit të këtij vendi, në një fshat [të quajtur] Troshan në juridiksionin tim, kaq shumë u tërbuan turqit kryesorë të Shqipërisë, saqë e rrënuan dhe e asgjësuan atë uratore që nga themeli, kurse lëndën drusore të saj e ka marrë për vete një turk i fuqishëm. Nuk u kënaqën me kaq, por menjëherë kapën zëvendësprefektin e misionit me dy etër të tjerë dhe, pasi i kyçën në një shtëpi të një zoti kryesor turk të Shqipërisë, i vunë çdo lloj prangash të rënda në qafë dhe, në këto mundime, kanë qëndruar 4 muaj. Pasi zotërit turq bënë shumë mbledhje për të shoshitur si të na shkaktonin një vdekje mizore, si atyre etërve si neve, më në fund, me mundim shumë të madh tonë e me mjete e marifete të ndryshme, i kemi shpaguar ata etër nga duart shtazore e sakrilege të të pafeve, duke mbledhur te varfëria jonë dhe e besimtarëve rreth 15 mijë aspra, ashtu edhe kemi hyrë ne vetë dorëzanë për ata etër për një vit. O zot shumë i lartë, nuk mund të shkruhen vuajtjet tona të përditshme, shpifjet dhe kërcënimet që na vijnë prej atyre tiranëve. Në meshimet tuaja lutuni për ne shumë të shkretët”. Më në fund njoftojmë dëgjuesit se promovimi i librit do të bëhet më 12 nëntor në Tiranë, me rastin e panairit të librit.                                                                                                  

JOZEF  ZAMPUTTI








All the contents on this site are copyrighted ©.