2015-11-05 14:20:00

Imzot Becciu, reforma e pavlefshmërisë së martesës është rikthim tek praktika e vjetër e Kishës


 “Reforma e pavlefshmërisë së martesës është rikthim tek praktika e vjetër e Kishës”. E pohon zëvendësi i Papës pranë Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, kryeipeshkvi Angelo Becciu, në ligjëratën e parë të përurimit të vitit akademik të Studios së Gjykatës vatikanase, që njihet me emrin latin  Sacra Rota Romana, shkurtimisht, Studio Rotale. Sipas imzot Becciu pikërisht ky, që analistët e shikojnë si aspekti më shpërthimtar i reformës së pavlefshmërisë, miratuar nga Papa Bergoglio, është vijim i traditës së krishterë. Më qartë, është fjala për mundësinë, që i jepet ipeshkvit të vendosë, sipas rasteve të veçanta, pa e çuar çështjen në gjykatën kishtare. Kjo, sqaroi imzot Becciu, ka një bazë të përhershme në traditën e madhe kishtare. Në të vërtetë, pushteti dhe detyra e ipeshkvit për të gjykuar, i ka rrënjët e veta në praktikën e lashtë të krishterë, e cila i zgjidhte sherret ndërmjet besimtarëve brenda bashkësisë, për të shmangur shkandullin e grindjeve përballë gjykatësve shekullarë.

Me rritjen  e Kishave, përgjegjësia baritore e ipeshkvit për t’i dhënë fund grindjeve, kujtoi imzot Becciu në bisedën, botuar nga “L’ Osservatore Romano”, fitoi një domethënie gjithnjë më të madhe e më universale brenda Kishës, edhe përsa u përket çështjeve civile. Perandorët ia garantonin bashkësisë së krishterë shërbimet e gjykatës ipeshkvnore në të njëjtën mënyrë, që përdorej nga hebrenjtë për zgjidhjen e grindjeve civile para krerëve të tyre fetarë.

“Rikthimi i funksionit personal të ipeshkvit dioqezan në procesin për deklarimin e pavlefshmërisë së martesës, është përgjigjja që dha Sinodi i jashtëzakonshëm i vitit të kaluar mbi familjen e, siç vë në dukje vetë Papa në Motu Proprio, kjo përkon plotësisht me natyrën e detyrave, që vetë Zoti Jezus ia beson Kishës e barinjve të saj”.

E, vijoi të theksojë imzot Becciu në fjalën e tij, “Papa kërkon me forcë që çdo ipeshkëv të rifillojë  ta ushtrojë personalisht këtë pushtet, ose t’u japë besimtarëve të paktën një shenjë të tij, në këtë drejtim”.








All the contents on this site are copyrighted ©.