2015-11-04 13:37:00

Me 4 nëntor kalendari kishtar përkujton shën Karl Borromeun.


Data e sotme 4 nëntor e kalendarit Kishtar shënon emrin e njërit nga ipeshkvijtë më të mëdhenj në historinë e Kishës: atë të Karl Borromeut, ipeshkëv i Milanos, njeriut që ishte i madh në dashuri, i madh në doktrinë, i madh në apostullim, por sidomos, i madh në përshpirtëri e devocion.

Zëri i tij na flet e na kujton se “Shpirtërat fitohen në gjunjë!”. Fitohen me lutje, me lutje të përvujtë. E shën Karl Borromeu mund të konsiderohet një nga pushtuesit më të mëdhenj të shpirtrave që njeh historia e Kishës. Figura e tij spikat në shekullin XVI si model bariu shembullor për bamirësi, doktrinë, zell apostolik e posaçërisht për lutje.

Bir i Gjilbert Borromeut e i Margeritës së Mediçëve, pronarë të mëdhenj tokash rreth Liqenit të Madh, nip i vetë Papës Piu IV, Karl Borromeu, i lindur më 1538 - do të kishte mundur të gëzonte fatin e bijve të dytëlindur në shtëpitë e pasura: të bëhej ushtarak ose të ndiqte karrierën kishtare, me kamje e të ardhura jetike. Gjithsesi kjo nuk do të ndodhte, sepse Karli do t'i dhuronte meshtarisë jo vetëm korpin, por edhe gjithë shpirtin e fenë e vet të pakufishme.

I emëruar që në moshën 12 vjeçare komendatar, që përfitonte të ardhurat e Komendës së Abacisë të Aronës, prej 2. 000 skudash, qe thirrur më pas në Romë nga i ungji që e zgjodhi Protonoter Apostolik dhe e krijoi kardinal në moshën 22 vjeçare, ndonëse nuk ishte shuguruar ende meshtar. Pak më vonë do të emërohej Sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së tij. Ndërsa pas vdekjes së xhaxhait, më 1565, si refuzoi zgjedhjen në fronin e papnisë, u kthye në Milano, ku zhvilloi një veprimtari të jashtëzakonshme, i rrethuar nga njerëz të aftë e shembullorë.

Gjatë episkopatit të tij, Milano u bë shembull për të gjitha qytetet tjera italiane. Nga Roma, shenjtorët e reformës katolike shikonin me admirim e ngushëllim Karl Borromeun, model për të gjithë ipeshkvijtë, që e shkriu deri në fund jetën për të mirën e Kishës. Por gjithë kjo veprimtari ia shkatërroi shëndetin. Ndonëse i sëmurë rëndë, vijoi vizitat e tij baritore, pa ngrënë, pa fjetur, duke u lutur e duke dhënë mësim. E ndoqi deri në frymën e fundit veprimtarinë e të gjitha veprave, që kishte themeluar. Më 3 nëntor 1584 ipeshkvi titan i Milanos, u shemb nën peshën e lodhjes e të sëmundjes. Ishte vetëm 46 vjeç.

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 5 nëntorit 2007, Papa Benedikti XVI foli për figurën e Karl Borromeut e mes tjerash pohoi: “Edhe një herë Ungjilli na thotë se dashuria, duke u nisur nga zemra e Zotit e duke vepruar përmes zemrës së njeriut, është forca që përtërin botën”. Një e vërtetë kjo – sipas Papës Ratcinger - e cila shkëlqen posaçërisht në dëshminë e Shenjtit që përkujtohet sot nga Kisha katolike: Karl Borromeut, kryeipeshkëv i Milanos.

Shën Karl Borromeu duke vënë në jetë mësimet e Koncilit të Trentos, iu kushtua plotësisht Kishës ambroziane: themeloi seminare, ndërtoi spitale, mbrojti të drejtat e Kishës përballë pushtetarëve të kohës dhe themeloi një kongregatë të re priftërinjsh shekullarë, Oblatët. Motua e shën Karl Borromeut përmblidhet në një fjalë të vetme: “Humilitas” – “Përvujtëria” që e shtyu, ashtu si Zotin Jezus, të mohonte vetveten e të bëhej shërbëtor i të gjithëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.