2015-11-04 12:56:00

Imzot Auza: “E drejta për jetë dhe liria e fesë, gjithnjë më të dhunuara”.


“Thirrje për të drejtën e jetës, si themel i të drejtave njerëzore e njëkohësisht, thirrje drejtuar OKB-së, që të promovojë e të mbrojë gjithnjë më shumë lirinë e mendimit, të ndërgjegjes e të fesë”. Këtë jehonë pati fjalimi i vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, imzot Bernardino Auza, mbajtur me rastin e sesionit të 70-të të Asamblesë të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kushtuar promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Duhet përtërirë kuadri i të drejtave të njeriut, duke vënë në themel të tyre të drejtën për jetën, atë që Papa e quan e drejtë për vetë ekzistencën  e natyrës njerëzore, theksoi imzot Auza. Në të gjithë botën, nënvizoi, një drejtësi e tillë vijon të vihet në diskutim, të injorohet e deri edhe të përçmohet, siç e dëshmojnë situatat e tmerrshme në të cilat vijojnë të katandisen më të varfrit e më të ligshtit, të palindurit e pleqtë, të gjymtuarit e viktimat e luftës dhe të trafikut njerëzor, emigrantët e refugjatët. E kjo shtytje për risim, vijoi, duhet nisur nga shoqëria e nga  përfshirja në konceptin e së mirës së gjithëmbarshme të mbrojtjes e të promovimit të së drejtës për jetë për të gjithë, gjë që nuk do të thotë vetëm mbrojtje juridiko-politike e jetës nga zënia deri në vdekjen natyrore, por edhe mbrojtje e ambientit dhe plotësim i nevojave parësore të njeriut, si ushqimi, banesa, puna, shëndeti dhe edukimi. Është e gabuar në nivel ndërkombëtar, nënvizoi imzot Auza, të harrosh rëndësinë e të drejtave njerëzore universale e themelore, për të krijuar “kategori e përkufizime të reja” të të drejtave e për të shikuar si përparësi, përzgjedhjen e të drejtave njerëzore e qytetare, gjë që, theksoi prelati, shpesh herë i bën të errta diskutimet tona, në dëm të atyre, të cilëve u shkelen të drejtat më fillestare.

Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB tërhoqi vëmendjen e Asamblesë edhe mbi shkeljen gjithnjë më të shpeshtë të së drejtës së lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të fesë, që do të thotë liri për të ndërruar fenë e për ta shpallur haptazi besojmën. Imzot Auza kujtoi se janë në rritje të vazhdueshme si aktet e dhunës, të kryera në emër të fesë, ashtu edhe krimet mizore kundër lirisë fetare, si ekzekutimet, detyrimet për të ndërruar fe, sekuestrimet e pasurive, masat ndëshkimore kur praktikon një fe tjetër.

E haraçin më të rëndë në të gjitha këto raste e paguajnë pakicat fetare, shpjegoi prelati, që kujtoi edhe dështimin e vazhdueshëm të qeverive, vonesat e ndërhyrjet e papërshtatshme në luftën kundër aktorëve, të cilët imzot Auza i quajti “jo shtetërorë e të dhunshëm, me qëllime të qarta për të shkatërruar larmitë fetare, kulturore dhe etnike”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.