Sot, me 3 nëntor kalendari Kishtar përkujton Shën Martinin de Porres, rregulltar
domenikan i Perus. Kishte dëshirë të madhe t’i përkushtohej krejtësisht Zotit e të
afërmit, e kështu veshi zhgunin e Etërve Domenikanëve pranë Kuvendit të Rruzares Shenjte
në Lima.
Duke e konsideruar veten të padenjë për një dhuratë kaq të madhe, jetoi me përvujtëri
e thjeshtësi jetën rregulltare duke iu kushtuar lutjes e duke u vënë në shërbim të
nevojtarëve, posaçërisht të të sëmurëve, të gjitha aftësitë e tija që kishte si njeri
e si infermier.
Martini edhe pse i varfër, i nëpërkëmbur, punoi në mjekimin e plagëve trupore të të
varfërve dhe në shërbimin e atyre morale e kështu dha një ndihmës të madhe në luftimin
e mjerimit moral e material që kishte qyteti i Limës. Ai u kujdes edhe për edukimin
e fëmijëve duke ndërtuar për ta shkolla e kolegje.
Bir natyror i një kalorësi spanjoll dhe i një skllaveje zezake, Martini i Porres do
të bëhej këshilltar i zëvendës-mbretit të Spanjës, të cilin e linte të priste mbrapa
portës, në se ishte duke mjekuar ndonjë të varfër.
Ky është, i pikturuar me dy penelata, portreti i shenjtit-simbol të Amerikës Jugore,
i cili diti të kapërcejë kufizimet e epokës e të jepte mësimin e çmuar se të gjithë
njerëzit janë vëllezër e se ngjyrat e ndryshme të lëkurës ose ndryshimet e etnisë,
janë pasuri e madhe e jo shprehje papërsosurie.
I lindur nga Anna Velasquez më 1579 në Shën Sebastian të Limës, në Perů, Martini,
hyri në Urdhrin e Domenikanëve, të cilët kishin themeluar në Limë kuvendin e parë
peruvian.
Në fillim pranohet si terciar e kryen detyra shumë të përvujta, por më pas dominikanët
ia njohin vlerat. Ai ishte mistik, i pajisur me karizma të jashtëzakonshme si dijen,
mistiken, profecitë, aftësinë për të komunikuar me të varfër e të gjitha shtresat
shoqërore e madje edhe me kafshët (të cilat instinktivisht i drejtoheshin atij për
t'u mjekuar plagët e sëmundjet).
Ndonëse nuk u largua kurrë nga Lima, u pa në Afrikë, në Japoni e në Kinë, ku ngushëlloi
misionarët që kalonin kohë të vështira. Vdiq nga tifoja më 3 nëntor 1639 në moshën
gjashtëdhjetë vjeçare. I shpallur shenjt nga Gjoni XXIII, sot njihet si pajtor i berberëve
e i parrukierëve.
All the contents on this site are copyrighted ©. |