2015-11-03 15:00:00

Kujtim e shpresë: Shkodra shënon 25-vjetorin e Meshës së 4 nëntorit 1990


Shkodra kremton vigjiljen e Meshës së parë, kremtuar më 4 nëntor 1990 nga dom Simon Jubani, në varrezat e qytetit, që shënoi fillimin e rënies së regjimit komunist e rifitimin e lirisë qytetare në Shqipëri.

...Farë e hedhur nga apostujt, pemë e rritur me gjak martirësh, fllad lirie, pranverë shpirtërore, shpresë që mbështolle gjitha kohërat... këto fjalë pasqyrojnë Logon e zgjedhur, për 25 Vjetorin e Meshës së parë, nga kryedioqeza e Shkodrës, e cila për këtë jubile ka organizuar programe dhe kremtime të ndryshme, për të kujtuar e kremtuar atë ngjarje të paharrueshme e vendimtare, që ishte Mesha e 4 nëntorit 1990, për Kishën, për të gjitha komunitetet fetare në Shqipëri dhe për mbarë shoqërinë qytetare.

Logo-ja e 25 vjetorit të Meshës së Parë ka në qendër një pemë të përbërë me rrënjët, trugun dhe kurorën me gjethe. Pema e jetës. Pema ka formën e  një çinari që ndodhet në vendin ku u pushkatuan një numër i madh martirësh të njohur e të panjohur. Sikur të kishte gojë çfarë nuk do të fliste për torturat e qëndresën deri në klithje «Rroftë Krishti Mbret».

Një pemë që na kujton edhe lashtësinë e këtyre trojeve, të ungjillëzuara nga apostujt të cilët mbjellën së pari besimin në një popull që më përpara ishte paganë. E kaluara e historia është vetëdija e një populli që kërkon të orientohet drejt të ardhmes prandaj kjo logo kërkon të na kujtojë rrënjët tona e jo vetëm kaq por edhe Shpresën (Zotin) që na ka mbështjellë gjatë gjithë historisë sonë.

Logoja është historia në miniaturë e Shqipërisë, që nxit të gjithë qytetarët të frymëzohen e të marrin mesazhin e jetës, të shpresës e të qëndresës. Liria është sfidë e përditshme, që kërkon dhurim të përditshëm e kjo na kujton drunin e jetës, Kryqin, shkruhen në Logo-n e 25-vjetorit të Meshës së Parë.

Në kuadrin e përkujtimit të kësaj ngjarjeje, kremtuar në varreza të Shkodrës nga dom Simon Jubani, më 4 nëntor 1990,  kryedioqeza e Shkodër-Pultit, me famullinë e Kishës Katedrale të Shën Shtjefnit, ka organizuar për sot, 3 nëntor, pasdite në ora 14.00, një procesioni me stendat e martireve nga kuvendi i Motrave Klarise deri tek varrezat e Rrmajt, në Shkodër.

Është ky një përshkim simbolik tejet domethënës i asaj udhe të kalvarit që përshkuan martirët në kohën e regjimit komunist. Kështu, e tërë dioqeza së bashku me stendat e martirëve në duar përshkon rrugën që përshkuan martirët drejt pushkatimit. Rruga e memories u ndriçua me lutje e falënderim drejtuar Hyjit për fenë, dëshminë e gjakun e martirëve.

Nesër, me 4 nëntor, do të kremtohet Mesha solemne tek varrezat e Rremajt, në orën 10.00. Pas Meshës vijon inaugurimi i kapelës së Varrezave, restauruar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë.

Gjithnjë nesër, në orën 17.00 do të mbahet një koncert me pjesëmarrjen e koreve të ndryshme, aktivitet që organizohet gjithnjë nga kryedioqeza e Shkodrës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.

Këto programe e kremtime të larmishme përkujtimore, me rastin e këtij jubileu të rëndësishëm, për Kishën e për mbarë Shqipërinë, nënvizojnë kështu edhe një herë se liria e rifituar qytetare dhe fillimi i procesit demokratik të Vendit pati zanafillën në aktin e shenjtë të Eukaristisë, akt falënderimi e shpëtimi.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.