2015-11-03 14:04:00

Françesku: ashtu si Zoti, të bëhemi shërbëtorë të përvuajtur, jo funksionarë


“Stili i Zotit që na shpëton, duke na shërbyer e duke e mohuar vetveten, na mëson se edhe ne mund të fitojmë me Të, nëse zgjedhim rrugën e dashurisë, të shërbimit e të përvujtërisë, që mbetet fitimtare për amshim”. Rreth këtij mendimi u shtjellua homelia e Papës në Meshën, kremtuar sot paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit, për shpirtin e ipeshkvijve dhe kardinajve, vdekur gjatë vitit të kaluar. “Na mjaftoftë Zoti, ishte mendimi përfundimtar i këtij kremtimi, që të jemi të lirë nga të gjitha gjërat kalimtare e bij të dashur, jo funksionarë”.

Të kujtosh kardinajtë e ipeshkvijtë e vdekur gjatë vitit të kaluar, do të thotë të lutesh, që të gjejnë në Zotin gëzimin e përkryer në bashkësinë e shenjtorëve, por edhe të ecim në rrugën e thirrjes së tyre; do të thotë të bëhemi shërbëtorë të përvuajtur, deri në flijimin e vetvetes, ashtu si bëri, i pari, vetë Zoti:

Shërbimi e dashuria janë shëlbim

“Kush shërben e jep, para syve të botës duket njeri i humbur. Por pikërisht duke e humbur jetën, e rigjen. Sepse një jetë që heq dorë nga vetvetja, duke humbur në dashuri, i ngjan Krishtit: e mund vdekjen dhe i jep jetë botës. Kush shërben, shpëton. Përkundrazi, kush nuk jeton për të shërbyer, nuk shërben për të jetuar”.

Ungjilli na kujton këtë: “Zoti aq e deshi botën, sa për të na shpëtuar, erdhi këtu, ku kishim përfunduar, në vdekje”. E mori mbi vete vdekjen, me të gjitha kundërvëniet e saj, vijoi Papa, e tani ne, duke e parë Atë e duke besuar në Të, shëlbohemi. E ky, që Françesku e quajti “stil i Zotit që shëlbon duke shërbyer e duke mohuar vetveten”, nuk është fitore ngadhnjimtare, por krejt e përvuajtur, e bazuar vetëm mbi forcën e dashurisë, stil, që na jep një mësim shumë të çmuar për jetën tonë.

Si Jezusi, të duam me përvujtëri e konkretësi

“Në Pashkët e Jezusit shikojmë, njëherësh, vdekjen e edhe ilaçin kundër saj; e kjo është e mundur për shkak të dashurisë, me të cilën na deshi Zoti, të dashurisë që përulet; të shërbimit, që di të pranojë gjendjen e shërbëtorit. Kështu Jezusi jo vetëm e mundi të keqen, por edhe e shndërroi në të mirë. I ndryshoi gjërat, jo me fjalë, por me fakte; jo në dukje, por në thelb; jo në sipërfaqe, por në rrënjë. Ai e bëri kryqin urë drejt jetës. Edhe ne mund të fitojmë, si Ai, po të zgjedhim rrugën e dashurisë së përvuajtur e shërbesën, që mbetet fitimtare në amshim. Është dashuri, që nuk e çon kurrë zërin, nuk bërtet kurrë, nuk imponohet, por di të presë me besim e duresë”.

Stil i dashurisë së Zotit do të thotë edhe, shpjegoi Françesku, ta duash deri në fund të fundit botën, ndërsa ne, vërejti, kemi prirjen të duam vetëm gjërat, për të cilat kemi nevojë; ato, që i dëshirojmë”.

Jo funksionarë, por bij të dashur

E atëhere edhe kjo Meshë kthehet në rast për t’iu lutur Atit të na ndihmojë  të mendojmë për “gjërat që janë atje lart”, për Zotin, edhe për të afërmin, më shumë se për nevojat tona:

“Na mjaftofshin Pashkët e Zotit në jetën tonë’, uroi në përfundim Papa, që të jemi të lirë nga dihatjet për gjërat kalimtare, të cilat ikin e shkojnë e mbarojnë në asgjë. Na mjaftoftë Ai, në të cilin është jeta, shëlbimi, ngjallja e gëzimi. Atëherë do të jemi shërbëtorë sipas zemrës së Tij: jo funksionarë, që kryejnë një shërbim, po bij të dashur, që japin jetën për botën!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.