2015-11-02 13:09:00

Ngushëllimet e Papës për 224 viktimat e avionit rus


“Lutem për viktimat dhe familjarët, që qajnë për humbjen e të dashurve, si dhe për njerëzit, që marrin pjesë në veprimtarinë e ndihmës, që forca e paqja e Zotit të zbresë mbi të gjithë”. Kështu Papa Françesku, në një telegram drejtuar presidentit rus Putin, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i shpreh afërsinë e tij popullit rus, të tronditur thellë nga tragjedia e rrëzimit të avionit pardje, në Egjipt. Pasojat: 224 të vdekur, ndërmjet të cilëve, 27 fëmijë.

Arrijnë, kështu, në ditën kur mbarë Rusia merr pjesë në zinë kombëtare, pas këtij aksidenti, një nga më të rëndët në historinë e saj, ngushëllimet e Papës, që u shpreh afërsinë e tij familjeve të viktimave të avionit të shoqërisë Metrojet, rënë në zonën Hasana, mbi Sinain egjiptian, pak minuta pas shkëputjes nga pista. Në këtë zonë të blinduar të ushtrisë egjiptiane rifilluan sot kërkimet e 61 trupave që mungojnë akoma, ndërsa në mbrëmje do të arrijë në Shën Petersburgut, qytet rus prej nga ishin shumica e viktimave, avioni i parë  me 80 kufoma.

Gjatë ditës, pranë Ministrisë së Aviacionit civil në Kairo pritet edhe kontrolli i dy kutive të zeza, që mund të hedhin dritë mbi natyrën dhe zhvillimin e aksidentit, të cilin Shteti i vetëquajtur Islamik e shpalli, përmes një videomeszhi, si akt terrorist të kryer nga njerëzit e tij. Por kjo hamendje u përgënjeshtrua si nga Kairo, ashtu edhe nga Moska e aktualisht po ndiqet pista e një defekti teknik në avionin, që fluturonte prej 18 vjetësh, gjë që vërtetohet edhe nga një telefonatë ndërmjet bashkëpilotit e së bijës. Ndërkaq, për arsye sigurie, pas Air France e Lufthansa, edhe Emiratet vendosën t’i ndërpresin fluturimet mbi Sinai; u ndërprenë edhe fluturimet e Metrojet, shoqëria së cilës i përkiste avioni i rrëzuar.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.