2015-11-01 15:45:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: thirrje për Afrikën Qendrore e për t’i imituar shenjtorët e “portës përbri”.


Në festën e Gjithë Shenjtorëve, duke kremtuar lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa nderoi kujtimin e shenjtorëve të “portës përbri”, shembuj të gjallë e guximtarë për t’u ndjekur në jetën tonë të përditshme. Më pas,  thirrja për paqen në Afrikën Qendrore, përshkuar nga vala e dhunës ndërfetare e ndëretnike.

 

Françesku shprehu shqetësimin e tij të thellë për acarimin e konfliktit në Republikën Qendrafrikane, përmes një thirrjeje të fuqishme:

“U bëj thirrje palëve në konflikt t’i japin fund ciklit të dhunës”.

Shpirtërisht pranë Etërve kombonianë të famullisë së Zojës së Fatimës në Bangui, që strehojnë një mori të shpërngulurish, Papa iu drejtua mbarë popullit qendrafrikan:

“U shpreh solidaritetin tim Kishës, konfesioneve të tjera fetare dhe mbarë kombit Qendrafrikan, që po kalojnë këtë provë të rëndë, ndërsa bëjnë të gjitha përpjekjet për t’i kapërcyer përçarjet e për të rifilluar ecjen në udhën e paqes”.

Më pas Ati i Shenjtë siguroi se Kisha është shumë pranë këtij Kombi kaq të vuajtur e të tronditur, se lutet për të e uron që të gjithë banorët të jenë dëshmitarë të mëshirës e të pajtimit:

“… të diel, më 29 nëntor, mendoj të hap portën shenjte në katedralen e Bangui, gjatë shtegtimit apostolik, që shpresoj se do të mund ta realizoj në këtë Komb”.

Në festën e sotme, Papa kujtoi se Shenjtorët janë njerëz, që i përkasin krejtësisht Zotit, ashtu si i paraqet Libri i Zbulesës: “një mori e pafundme të zgjedhurish, të shënuar me vulë nga vetë Zoti”:

“A jemi të vetëdijshëm për këtë dhuratë të madhe? Të gjithë ne, bij të Zotit! A kujtohemi se në Pagëzim morëm “vulën” e Atit tonë qiellor e u bëmë bijtë e Tij? Për ta thënë më thjeshtë: kemi mbiemrin e Zotit, mbiemri ynë është Zoti, sepse jemi bij të Tij. E këtu është edhe rrënja e thirrjes për shenjtëri”.

Shenjtorët janë shembuj për t’u imituar, shtoi Papa:

“E jo vetëm ata, që u shpallën shenjtorë, por edhe shenjtorët, të cilët mund t’i quajmë ‘të portës përbri’ që, me hirin e Zotit, u përpoqën e përpiqen ta jetojnë Ungjillin në jetën e tyre të zakonshme, pa u shpallur kurrë shenjtorë”.

Për këta  njerëz të shenjtë duhet të jemi mirënjohës, e t’i jemi mirënjohës Zotit, që na i dhuroi e na i vu pranë si shembuj të gjallë e frymëzues të mënyrës si duhet jetuar e vdekur, gjithnjë besnikë të Jezusit e të Ungjillit të Tij.

Po sa e sa njerëz të mirë kemi njohur gjatë jetës sonë? E vijojmë t’i njohim e të themi: “Po ky njeri është shenjt! E themi, se na vjen vetvetiu në gojë ky vlerësim. Këta janë shenjtorët e portës përbri, që nuk janë lartuar në elter, por vijojnë të jetojnë pranë e pranë nesh”.

Më pas, ftesa për tu përngjarë, për t’i imituar gjestet e tyre të dashurisë e të mëshirës e për ta përjetësuar praninë e tyre në këtë botë:

“… një veprim i dhimbsur; një ndihmë bujare; një çast i kaluar duke dëgjuar; një vizitë; një fjalë e mirë; një buzë në gaz…. Para syve tanë këto gjeste mund të duken krejt të parëndësishme, por para syve të Zotit duken të amshuara, sepse dashuria dhe mëshira janë më të fuqishme se vetë vdekja”.

Pas lutjes mariane, Papa nderoi kujtimin e Nënës Teresa Casini, themeluese e Motrave Oblate të Zemrës së Krishtit, që u shpall dje e Lume. Pastaj, përshëndetjet e veçanta drejtuar pjesëmarrësve në Vrapimin e  Shenjtorëve e në Marshimin e Shenjtorëve, organizuar nga Fondacioni “Don Bosko në botë” dhe nga Shoqata “Familja, Kishë e vogël”, që e mbushën përplot Sheshin e Shën Pjetrit.

Së fundi, njoftimi për vizitën e pasdites së sotme në Varrezën romake të Veranos, ku Papa do të kremtojë Meshën për shpirt të të vdekurve, duke u bashkuar simbolikisht me të gjitha ata, që këto ditë shkojnë të luten pranë varreve të të dashurve të shuar, në të katër anët e botës.








All the contents on this site are copyrighted ©.