2015-10-31 17:27:00

Lumnohet Nënë Teresa Casini, themeluese e Oblateve të Zemrës së Krishtit


U shpall e Lume, sot paradite, në Katedralen e Shën Pjetrit Apostull në Frascati, Nënë Maria Teresa Casini, themeluese e Oblateve të Zemrës së Krishtit, kushtuar edukimit të të rinjve, sot të pranishme në të pesë kontinentet. Përfaqësues i Papës Françesku në kremtim ishte prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Angelo Amato.

“Nënë, hyra me mendimin që të bëhem shenjte, prandaj po lëshohem në duart tua!”. Me këto fjalë i qe drejtuar Teresa eprores së Klariseve të Shën Pjetrit  in Vincoli, duke nisur jetën e klauzurës. Nuk e pati të lehtë ta shkelte këtë prag, sepse e ëma, zonjë e borgjezisë së lartë, me origjinë franceze, ëndërronte ta shikonte nuse në një derë të fisme, ndërsa i ati, që i pati dhënë edukatë fetare, ndërroi jetë që kur vajza ishte dhjetë vjeçe. Kardinali Amato i kujtoi kështu hapat e para të së Lumes në rrugën e fesë:

“I ati, inxhinier, ishte njeri i përshpirtshëm e i devoçëm ndaj Kishës. Ditën e pagëzimit të vajzës, ftoi në shtëpi gjithë të varfërit e qytetit, të cilëve u dha edhe lëmoshë bujare në të holla. U mundua, pastaj, ta edukonte krishterisht edhe vajzën. E shoqëronte në Kishë dhe e mësonte të lutej. I jepte, pastaj, në dorë para, për t’ua dhuruar të varfërve. Ky gjest  dashurie të krishterë mbeti përgjithmonë në mendjen e në zemrën e  vashëzës që, duke u rritur, u bë gjithnjë e më bujare ndaj nevojtarëve, të cilëve u dhuronte gjithçka ishte e saj, në heshtje, me delikatesë”.

E ndërlikuar, jeta e së Lumes së re, së cilës iu desh, për arsye shëndeti, të largohej nga klauzura, me bindjen se çka nuk vjen nga Zoti, nuk zgjat shumë, ndërsa çka vjen nga vullneti i Tij, heret a vonë del në dritë. U bë frymëzuese e një grupi grash, që zgjodhën rrugën e largimit nga bota dhe u quajtën “Viktimat e Zemrës së Krishtit”. Më më 1910, e lanë klauzurën, duke nisur apostullimin aktiv. U bënë Oblate të Zemrës së Krishtit. Misioni i tyre kryesor ishte të punonin për lulëzimin e thirrjeve, që t’i dhuronin Kishës meshtarë të shenjtë. Themeluan, për këtë, Miqtë e vegjël të Jezusit.

Sot janë të pranishme në mbarë botën, rikujtoi kardinali Amato i cili pyetjes “çfarë i thonë Ajo e motrat e saj botës së sotme”, iu përgjigj:

“Besoj se na ftojnë ta ruajmë apostullimin e edukimit dhe të formimit të të rinjve. Na ftojnë, pastaj, të përtërijmë impenjimin e tyre për mikpritjen dhe ndihmën ndaj meshtarëve në famulli, në seminare, në episkopate. Na nxitin, sidomos, të jetojmë me shenjtëri të përditshme, që ushqehet nga lutja e nga flijimi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.