2015-10-30 15:42:00

Papa: imzot Romero martir edhe pas vdekjes, viktimë e shpifjeve


Figura e imzot Óscar Arnulfo Romero, vrarë nga urrejtja për fenë më 24 mars 1980 e shpallur i Lum më 23 majin e kaluar, ishte në qendër të fjalës, që Papa i drejtoi sot paradite një delegacioni të El Salvador. Martirizimi i imzot Romeros, theksoi Françesku, u parapri nga vuajtjet e persekutimet. Por edhe pas vdekjes, shtoi, martirizimi i tij vijoi.

Pasi u vra, u përgojua, u mbulua me shpifje, deri nga vetë vëllezërit në meshtari e ipeshkvni. Edhe pasi dhuroi jetën e vet, pohoi Françesku, vijoi ta dhurojë përsëri e përsëri, nësa emri i tij poshtërohej e përndiqej. E pastaj Papa shtoi:

“Eso a mí da fuerza, solo Dios sabe…

“Kjo më jep forcë… Vetëm Zoti e di! Vetëm Zoti e di historinë e njerëzve. Sa e sa herë njerëzit, që dhanë jetën e tyre, që vdiqën, vijuan të gjuhen me gurin më të rëndë, që ekziston në botë: gjuhën!”

Nderi i martirizimit

Imzot Óscar Arnulfo Romero – shpjegoi Papa – ishte bari i mirë, plot me dashuri për Zotin e afërsi për vëllezërit. Ishte dëshmitar i Ungjillit deri në martirizim. Edhe sot, shtoi Françesku, gjaku i një numri të madh martirësh vijon të derdhet në botë, me shpresën e sigurt se do sjellë fryte të begata shenjtërie e drejtësie.

“Debemos estar dispuestos a morir por nuestra fe...

Duhet të jemi gati – tha Ati i Shenjtë, duke kujtuar fjalët e shqiptuara nga imzot Romero – të vdesim për fenë tonë, edhe nëse Zoti nuk do të na e japë këtë nder. Sepse të japësh jetën nuk do të thotë vetëm të vritesh: do të thotë të kesh shpirtin e martirizimit, ta japësh jetën në shërbim, në heshtje, në lutje, në kryerjen me nder të detyrës.

Martiri, shok udhe

Martiri nuk lidhet me të kaluarën, nuk është një figure e bukur - vijoi Papa – që stolis kishat tona e që e kujtojmë me mall:

“El mártir es un hermano, una hermana...

Martiri është vëlla, është motër, që vijon të na shoqërojë në misterin e Shoqërisë së Shenjtorëve e që, i bashkuar me Krishtin, nuk e harron shtegtimin tonë mbi tokë, vuajtjet tona, agonitë tona.








All the contents on this site are copyrighted ©.