2015-10-30 14:56:00

Kardinali Ravasi: nga viztorët e Expo, 150 mijë euro për bamirësinë e Papës


“Rezultati i Pavijonit të Selisë së Shenjtë në Expo-në e Milanos, është shumë pozitiv. Vizitorët, me dhurimet e tyre të vogla e të thjeshta, ofruan 120 mijë euro, që Papa t’i përdorë për të ndihmuar bashkësitë e të shpërngulurve e të refugjatëve në Jordani. Për këtë mund të themi se Pavijoni ynë pati edhe funksion gati-gati baritor”. Shprehet kështu kryetari i Këshillit Papnor për Kulturën, komisar i Pavijonit të Selisë së Shenjtë në Expo, kardinali Gianfranco Ravasi, në mikrofonet e inBlu Radio, network i Radiove katolike italiane,

“Selia e Shenjtë në këtë Pavijon, shton Ravasi, deshi të zhvillojë dy përmasa: nga njëra anë, atë të bukës, që shtrohet mbi sofra, një nga simbolet më të spikatura të ushqimit universal. Përmasa e mungesës së kësaj buke mbi tryezat, uria në botë, ishte tema e parë.

Nga ana tjetër, deshi t’u kujtojë njerëzve frazën: “Jo vetëm me bukë jeton njeriu”, përmasë më shpirtërore e kulturore e ushqimit, që simbolikisht përmblidhet tek fjala “bukë”. Prej këndej, shumëkush shprehu mendimin se Pavijoni i Selisë së Shenjtë e pati më në qendëtr të vëmendjes temën e përgjithshme të Expo2015: “Të ushqehet planeti, energjia për jetën”.  

E ky rezultat na kujton ftesën e Papës që, në videomesazhin e drejtpërdrejtë me Expo-në e Milanos, pak para hapjes, pati theksuar: “Të mos mendohet më se veprimet tona të përditshme nuk do të kenë ndikim mbi jetën e atyre që, pranë a larg nesh, vuajnë nga uria”. Papa kërkonte pikërisht ndryshimin e mendësisë lidhur me çështjet ushqimore, për ta ushqyer planetin, duke respektuar çdo burrë e çdo grua, që banon në të e edhe mjedisin natyror. Françesku i thotë ‘jo’ shkapërderdhjes e përjashtimit e kërkon që secili t’i ketë parasysh fytyrat e burrave, të grave e të fëmijëve të kequshqyer. Kështu, pati theksuar, Expo, mund të jetë “rast i përshtatshëm për ta globalizuar solidaritetin”.  E tregon këtë vetë rezultati, e jo vetëm material, por edhe e sidomos, shpirtëror.








All the contents on this site are copyrighted ©.