2015-10-30 13:26:00

Françesku: falja e Zotit nuk është vendim gjykate


“Meshtari i mirë di të preket e të impenjohet në jetën e njerëzve”. Është një nga fragmentet e homelisë së mëngjesit, mbajtur nga Papa Françesku në Shtëpinë e Shën Martës, shqiptuar në spanjisht. Zoti, tha Papa, “na fal si atë, jo si nëpunës gjykate”.

Zoti ka mëshirë. Ka mëshirë për secilin nga ne, ka mëshirë për njerëzimin, prandaj e dërgoi Birin e vet, për ta shëruar, për ta rilindur, për ta përtrirë. Kështu u shpreh Papa në homelinë, mbajtur gjatë kremtimit të Meshës në Shtëpinë e Shën Martës, përqendruar pikërisht tek mëshira e Zotit:

“Es interesante que en la parábola que todos conocemos del hijo pródigo…

Është interesante, vërejti, që në shëmbëlltyrën e njohur nga të gjithë, atë të Djalit plangprishës, thuhet se kur ati, figurë e Zotit që fal, e shikon të birin duke ardhur, pushtohet nga dhembshuria. Dhembshuria e Zotit nuk është mëshirë: këto fjalë nuk kanë të bëjnë fare me njëra-tjetrën.

Unë, shtoi, mund të kem mëshirë për një qen, që është duke ngordhur, por dhembshuria e Zotit është krejt tjetër gjë: është të hysh në problemet e tjetrit, të hysh në shpirtin e tjetrit me zemër ati. Prandaj, nënvizoi Papa, e dërgoi Zoti Birin e vet:

“Jesús curaba a la gente pero no era un curandero…”

Jezusi i mjekon njerëzit, pohoi më pas, por nuk është “shërues”. Jo! Mjekimi i njerëzve nga ana e Tij, ishte shenjë, shenjë e dhembshurisë së Zotit për t’i shpëtuar, për t’i kthyer përsëri në vathën e vet delen e humbur e në portofolin e vet, paratë, që i kishin humbur asaj zonjës. Zoti ka dhembshuri, Zoti e vë zemrën e Tij prej ati, në zemrën tonë, në zemrën e secilit nga ne. E kur Zoti fal, fal si Atë e jo si të ishte nëpunës gjykate, që lexon një vendim e thotë: “Fiton pafajsinë për mumgesë provash!”. Zoti  fal shpirtërisht. Fal, sepse ka hyrë në zemrën e atij njeriu.

Jezusi, shtoi, u dërgua për të sjellë Lajmin e Mirë, për të çliruar atë, që ndjehet i shtypur. Jezusi u dërgua nga Ati, për të hyrë në zemrën e secilit prej nesh, duke na çliruar nga mëkatet tona, nga të këqijat tona.

“Y esto es lo que hace un cura, conmoverse, comprometerse…”

Këtë, vijoi Papa, bën prifti; preket, hyn në jetën e njerëzve, sepse prifti është meshtar, ashtu si Jezusi. Sa herë - e pastaj  duhet të shkojmë e të rrëfehemi – i kritikojmë këta priftërinj, të cilët nuk interesohen fare çfarë ndodh në kongregatat e tyre, nuk shqetësohen. Jo, ky nuk është prift i mirë! Prift i mirë është ai, që interesohet drejtpërdrejt.

Prift i mirë, vijoi Ati i Shenjtë, është ai, që merret me të gjitha problemet njerëzore. Më pas u ndalua tek shërbimi, që i bëri Kishës kardinali Javier Lozano Barragan, i pranishëm në Meshë, me rastin e kremtimit të 60-vjetorit të meshtarisë. Papa kujtoi me mirënjohje angazhimin e tij në dikasterin e Punonjësve të Shëndetësisë, në shërbimin e Kishës për të sëmurët. Falënderojmë Zotin, tha Papa, për këto 60 vjet meshtarie, e kjo është dhuratë, që Zoti i bën kardinalit Barragan: “të jetojë kështu për 60 vjet”.








All the contents on this site are copyrighted ©.