2015-10-30 20:33:00

2 nëntori përkujton të gjithë të vdekurit një lutje Hyjit


2 nëntori përkujton të gjithë të vdekurit

Vetëm një ditë pas të Gjithë Shenjtorëve, kujtojmë e shënojmë, më 2 nëntor, ditën e përkujtimit të të vdekurve, kur bëjmë për një shtegtim, sa të dhimbshëm, aq festiv ndër varreza të të dashurve të vdekur, po edhe ndër varre të gjithë njerëzve që kanë shtegtuar mbi tokë, shpesh, me një jetë plot besnikëri ndaj idealeve të mëdha në rrjedhë shekujsh e në kohët tona, gjithsesi drejt Qiellit. Me këto ndjenja përulemi realisht e simbolikisht mbi varret e panumërta, të përhapura në mbarë planetin, të vjetra e të reja, varre martirësh e besimtarësh të thjeshtë, njerëzish të shquar e të panjohur, nënash e baballarësh, vëllezërish e motrash. Përkulemi me lutje në buzë e me lot në sy për të dashurit tanë që më s'janë fizikisht ndër ne.
Por, duke u ndodhur në vendet siç janë varrezat, që të ngjallin një trishtim të thellë, nuk duhet të harrojmë se kjo ditë, për Kishën, është një ditë e madhe feste. Ata që nuk i kemi më pranë, që pushojnë në paqe nën kryqat simbolikë, na kanë treguar me jetën e tyre se sa e frytshme është fara që Krishti erdhi për ta hedhur në zemrën e njerëzimit në tokë. E në këto ditë, kur flitet kaq shumë për vdekje e të vdekur, kur njerëzimi dridhet për të sotmen e të ardhmen e vet, Dita e të vdekurve na kujton, më shumë se kurrë, se bota nuk është në dorë të njeriut, por në dorë të Zotit! Nder vorre !
Po shkoj sot ndër vorre, Jezus,
s’është vend i këndshëm, e di,
më rrënqeth ky vend i heshtur,
ky vend ku ka veç zi.

E zëri i tmerrshëm i vdekjes
frymon këtu nga çdo plasë,
pëshpërit nga çdo gëmushë,
nga çdo kurorë e çdo rrasë.

Po shkoj për njerëzit që më deshën,
që ishin, por që shkuan,
po shkoj t’u shpreh mirënjohjen
për gjithçka më dhuruan.

Mirënjohje për kë më dha jetën,
për kë më dha bujarinë,
mirënjohje për kë më fali fenë,
për kë m’ dha për ditë dashurinë.

Një krah më dha, ku u mbështeta,
një fjalë të urtë, ku udhën rigjeta,
më mësoi Lajmin e mirë,
ku gjeta shpresë e hir.

Po shkoj t’u pëshpëris shpresën time.
Po shkoj t’u përsëris se besoj,
në atë jetë mbi të cilën vdekja
askurrë nuk triumfoi.

Se nuk është sëmundja, as morti
që fjalën e fundit e thonë.
Jo unë nuk mund të besoj
se i humba përgjithmonë.

Po shkoj t’u çoj një lule
simbol bukurie që duhet.
Po shkoj të ndez një qiri
simbol i zjarrit që s’ shuhet.

Po shkoj të prek një fytyrë
mes kryqave pa fund,
po shkoj të të takoj Ty,
Jezus që vdekjen mund.








All the contents on this site are copyrighted ©.