2015-10-29 14:06:00

Papa: Zoti nuk dënon, mund vetëm të dojë, kjo është fitorja jonë


Zoti mundet vetëm të dojë, nuk dënon, dashuria është dobësia e tij e fitorja jonë: kjo, në thelb, homelia e Papës Françesku në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. 

Fitorja jonë është dashuria e pashpjegueshme e Zotit

Në Leximin e parë të liturgjisë së sotme, Shën Pali Apostull shpjegon se të krishterët janë fitimtarë, pasi, nëse Zoti është me ta, kush mund të jetë kundër? Nëse Zoti na shëlbon, kush mund të na dënojë? – komentoi Papa, por të krishterët nuk duhet ta kuptojnë këtë si një lloj triumfalizmi. Ne, nënvizoi Ati i Shenjtë, nuk jemi fitimtarë, sepse e kemi në dorë këtë dhuratë, por për diçka tjetër, që na bën të jemi fitimtarë edhe kur nuk duam. E ky është fakti se “asgjë s’mund të na ndajë nga dashuria e Hyjit, në Jezu Krishtin Zot”:

 “Nuk është puna se jemi fitimtarë mbi armiqtë, mbi mëkatin. Jo! Ne jemi aq shumë të lidhur me dashurinë e Zotit, sa askush, asnjë fuqi, asgjë nuk mund të na ndajë nga kjo dashuri. Shën Pali pa diçka më shumë në atë dhuratë, pa atë, që na jep dhurata: është dhurata e rikrijimit, është dhurata e përtëritjes në Jezu Krishtin. Shikoi dashurinë e Zotit. Një dashuri, që nuk mund të shpjegohet”.

Hyji nuk është i zoti të mos i dojë njerëzit

Secili prej nesh, vijoi Papa Françesku, mund ta refuzojë dhuratën e të parapëlqejë kotësinë, mendjemadhësinë e mëkatin e vet. Por dhurata ekziston:

“Dhurata është dashuria e Zotit, një Hyj që nuk mund të ndahet prej nesh. E kjo është dobësia e Tij. Ne themi: ‘Zoti është i fuqishëm, mund të bëjë gjithçka!’. Por, jo një gjë: të ndahet prej nesh! Në Ungjill, ai imazh i Jezusit që qan mbi Jeruzalem, na bën të kuptojmë diçka nga kjo dashuri. Jezusi derdh lot! Qan për Jeruzalemin e në ato lotë përmblidhet gjithë pafuqia e Zotit: paaftësia e tij për të mos na dashur e për t’u ndarë prej nesh”.

Siguria jonë: Zoti nuk dënon, vetëm na do

Jezusi derdh lot për Jeruzalemin, që vret profetët, të cilët lajmërojnë shpëtimin. E Zoti, komentoi Papa, i thotë Jeruzalemit e ne të gjithëve: “Sa herë desha t’i mbledh bijtë e tu siç bën klloçka me zogjtë, nën krahët e saj, por ju nuk deshët!”. Është një imazh i dhimbsur e i ëmbël, të cilin ne e refuzojmë. Shën Pali e kupton këtë, e kupton se Zoti na do pavarësisht nga kundërshtimet tona, prandaj ngul këmbë kur thotë se askush s’mund të na ndajë nga dashuria e Hyjit:

 “Zoti nuk mund të mos dojë! E kjo është siguria jonë. Unë mund ta refuzoj atë dashuri, mund ta refuzoj siç bëri edhe hajduti i mirë deri në fund të jetës së vet. Por aty, e priste dashuria. Më i keqi, më blasfemi, duhet nga Zoti me dhembshurinë e atit, të babait. E siç thotë shën Pali, siç thotë Ungjilli, siç thotë Jezusi: ‘si klloçka me zogjtë’. E Zoti i Gjithpushtetshëm, Zoti Krijues mund të bëjë gjithçka, por Zoti qan! Në lotët e Jezusit në Jeruzalem, në ato lotë, përmblidhet krejt dashuria e Hyjit. Zoti qan për mua, kur largohem prej Tij; Zoti qan për secilin prej nesh; Zoti derdh lot për ata të ligj, që bëjnë gjëra të këqia, që i bëjnë shumë keq njerëzimit… Pret, nuk dënon, qan. Pse? Sepse na do!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.