2015-10-29 13:53:00

Papa: integrimi BE-së e pritja e emigrantëve në takim me presidentin e Lituanisë


“Integrimi evropian, kërkesa e një solidariteti më të madh ndërmjet kombeve për t’i bërë ballë sfidave të sotme, pritja e emigrantëve në Evropë”, janë ndër argumentet kryesore që u trajtuan nga Papa Françesku gjatë audiencës në Vatikan me Presidenten e Republikës së Lituanisë, Dalia Grybauskeité, e cila pas takimit me Atin e Shenjtë u takua me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin e imzot Paul Richard Gallagher, sekretar i Vatikanit për marrëdhëniet me Shtetet.

“Gjatë bisedimeve të përzemërta – njofton një deklaratë e Vatikanit – janë shqyrtuar disa tema me interes të anasjelltë”, me të cilave edhe çështja e “paqes e ajo e sigurisë në nivelin rajonal e ndërkombëtar, konflikti në Ukrainë, si dhe situata në Lindje të Mesme, e në një mënyrë të veçantë u përmend gjendja në Siri dhe në Tokën e Shenjtë”, pa harruar këtu “vlerësimin tejet pozitiv për kontributin që Kisha Katolike jep për shoqërinë lituane”.

Bisedimet zgjatën afër gjysmë ore. Presidentja Grybauskaité i dhuroi Papës Françesku dy mozaikë që paraqesin Jezusin e Mëshirshëm dhe Zojën e Bekuar të Mëshirës, në përkim me temën e Jubileut të jashtëzakonshëm shpallur nga Papa, kushtuar pikërisht Mëshirës Hyjnore, e edhe një kavanoz me mjaltë me një etiketë të vizituar nga fëmijët lituanë. Papa Bergoglio nga ana tij i dhuroi Presidentes Grybauskaité një Medaljon të Paqes e një kopje të enciklikës ‘Lëvduar qofsh’ dhe të këshillimit apostolik ‘Evangelii Gaudium’.

Gjithnjë sot paradite, Papa Françesku priti në audiencë drejtorin ekzekutiv të Zyrës së OKB-së kundër drogës e krimit (UNODC) Yury Fedotov.

Më pas Ati i Shenjtë Bergoglio priti në audiencë prefektin e Sekretarisë së Selisë së Shenjtë për Ekonominë, kardinalin George Pell, i cili bënë pjesë edhe në Këshillin e nëntë kardinajve.








All the contents on this site are copyrighted ©.