2015-10-29 16:25:00

Papa Françesku familjes botërore të Radio Marisë: çojeni shpresën në botë


Përhapeni shpresën, atë të vërtetë që vjen nga shëlbimi që ka sjell Krishti: kjo është këshilla e Papa Françeskut, drejtuar sot paradite, gjatë një audience në Vatikan, Familjes botërore të Radio Marisë, që ka stacione radiofonike në afër 70 Vende të botës, me mase 30 milionë dëgjuese, e këtu përmendim edhe Radio Marinë në gjuhën shqipe në Shqipëri e kohëve të fundit edhe në Kosovë, si dhe dëgjuesit shqiptarë.

“Përhapja e Radio Marisë në shumë mjedise, të ndryshme mes tyre, për kulturën, gjuhën e traditat, përbënë një lajm të mirë për të gjithë, sepse tregon se, kur propozohen me guxim programe me përmbajtje e cilësi të lartë, duke u nisur nga përkatësia e qartë e krishterë, nisma pritet mirë përtej parashikimeve, e nganjëherë edhe nga ata njerëz që ndoshta për herë të parë bien në kontakt me mesazhin ungjillor”.

Kështu pohoi mes tjerash Papa Françesku para mase 300 operatorëve e drejtuesve të shoqatës së Radio Marisë, gjatë audiencës së sotme mbajtur në Sallën Klementine në Vatikan.

“Ju ftoj, prandaj, të jeni të qëndrueshëm në impenjimin tuaj, që është bërë një mision i vërtetë – vijoi Papa Bergoglio -, në besnikëri ndaj Ungjillit e ndaj Magjisterit të Kishës dhe në dëgjim të shoqërisë e të njerëzve, posaçërisht të më të varfërve e të mënjanuarve, në mënyrë që të jeni për gjithë dëgjuesit tuaj një pik referimi e mbështetjeje”.

Radio Maria, “që në fillim të lindjes”, tha akoma Papa, “ka pasur si synim të ndihmojë Kishën në veprën e ungjillëzimit; e këtë ta bëjë në një mënyrë krejt të veçantë, do të thotë me një afërsi ndaj shqetësimeve e dramave të njerëzve, me fjalë ngushëllimi e shprese, fryt i fesë dhe i angazhimit të solidaritetit”. “Në çuarjen përpara të synimit tuaj, jeni mbështetur në ndihmën e Provanisë së Zotit, që nuk ju ka lënë kurrë pa mjetet e nevojshme për punën tuaj të përditshme – shtoi Papa Françesku, duke ju referuar mbështetjes që vjen nga ofertat. Këto ndihmojnë për modernizimin e teknologjisë, siç kërkojnë kohët e sotme, e shërbejnë për zhvillimin e Radios, së pari në Itali e pastaj në shumë Vende të botës, me një rrjetë që është përhapur me një shpejtësi befasuese. Lidhur me këtë, sfida që keni tani, është mbajtja e një stili të thjeshtë, gjithnjë në kërkimin e mjeteve të përshtatshme teknologjike, që janë të nevojshme e shërbejnë për të çuar përpara misionin e ungjillëzimit”.

E vërtetë, të përhapesh Ungjillin e devocionin e Nënës së Jezusit, duke promovuar dashurinë për Kishën e për uratën, ofrohet një “kanal” i vlefshëm për të dëgjuar reflektime të bukura, për të mësuar t’i lutemi Hyjit, për të thelluar përmbajtjen e fesë që ndërton e hap horizontet. Radioja, në këtë mënyrë, bëhet mjet që nuk komunikon vetëm një përmbledhje lajmesh, idesh, muzikë pa një fil udhëheqësh, që ka si synim ndoshta vetëm dëfrimin, por bëhet një mjet i dorës parë për transmetuar shpresën, atë të vërtet që buron nga shpëtimi që ka sjell Krishti Zot, e për të ofruar një shoqërim të mirë shumë njerëzve që kanë nevojë.

Sot keni ardhur në Romë nga çdo anë e botës për të reflektuar mbi atë që mund të quhet “karizma e Radio Marisë”, një shërbim i vlerësuar në Kishën lokale e i rëndësishëm edhe për komunitetin civil. Të gjithë ata që dëgjojnë programet tuaja radiofonike ju njohin si një Radio që i jep hapësirë të madhe lutjes, duke dëshmuar se, kur hapemi ndaj lutjes, hapet porta ndaj Zotit. Në këtë punë tuaj e keni Zojën e Bekuar si model. Prandaj është e domosdoshme ta duani me gjithë zemër Marinë për të jetuar në përkim me Kishën. Për këtë ju inkurajoj të kultivoni përherë “kopshtin e brendshëm” të lutjes, të dëgjimit të Fjalës së Zotit, e të përdorni lexime e literaturë të mirë për të thelluar fenë tuaj. Më tej, mbajeni përherë para sysh se ju dhuroni diçka të madhe e unike: shpresën e krishterë, e cila është shumë më tepër se një ngushëllim i thjeshtë shpirtëror, sepse bazohet mbi fuqinë e Ringjalljes, të dëshmuar me fe e vepra të dashurisë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.