2015-10-29 14:14:00

Papa: Doktoratura për Bartolomeun I, kontribut në rrugën drejt bashkimit


Doktoratura “honoris causa” në Kulturën e bashkimit, që Instituti Universitar Sofia i Loppiano-s i dha Paktriarkut Ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeut I, “kontribuon në rrugën drejt bashkimit të plotë e të dukshëm, të cilin e synojmë me përkushtim e këmbëngulje”. Kështu shkruan Papa Françesku në mesazhin me të cilin përgëzon gjestin e Institutit, kështjellë e Lëvizjes së Fokolarinëve. Në dhënien e titullit qenë të pranishëm përfaqësues nga Kishat ortodokse të Evropës Lindore dhe të Lindjes së krishterë, për të dëshmuar, siç tha kryetarja e Lëvizjes së Fokolarinëve, Maria Voce, “dëshirën për të ecur së bashku në të gjitha nivelet, drejt bashkimit”.

 Në motivacion, Patriarku konsiderohet pionier në rrugën e ekumenizmit, si edhe promovues aktiv i paqes dhe i drejtësisë. Papa Françesku e nënvizon këtë, duke e quajtur “vëlla i dashur” e duke i shprehur stimën dhe vlerësimin e  tij. Ndërkaq, në një fjalim të gjatë, Patriarku vetë e shtriu mbi të gjithë “Kishën martire të Kostandinopojës”, nderin për marrjen e titullit. Pastaj, përshkoi historinë e marrëdhënieve ndërmjet Kishës së Lindjes dhe asaj të Perëndimit, u ndal në ndarjen e dhimbshme, që zgjati me shekuj, për të arritur deri tek njohja e tjetrit si i krishterë. Që këndej, theksoi, rrodhi ndryshimi i gjuhës dhe i sjelljes së anasjelltë, duke filluar me marrëdhëniet ndërmjet Papës Gjoni XXIII dhe Patriakut Atenagora. Ata sollën një “kulturë të re bashkimi” dhe dëshirën “për të ecur së bashku.








All the contents on this site are copyrighted ©.