2015-10-28 11:51:00

Papa në Sheshin e Shën Pjetrit kujton 50-vjetorin e Koncilit


“Njohja, respekti e nderimi i anasjelltë, janë rruga që, nëse vlen  posaçërisht për marrëdhëniet me hebrenjtë, vlen njëlloj edhe për marrëdhëniet me fetë e tjera”.  Kështu u shpreh Papa në audiencën e sotme të  përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, me rastin e 50-vjetorit  të deklaratës “Nostra Aetate”, kushtuar marrëdhënieve me fetë jo të krishtera: “Mendoj veçanërisht për myslimanët që, siç e kujton Koncili, adhurojnë një Zot të vetëm, të gjallë e të pranishëm, të mëshirshëm e të gjithëpushtetshëm, krijues i qiellit e i tokës, që u foli njerëzve. Ata kujtojnë atësinë e Abrahamit, nderojnë Jezu Krishtin si profet; Nënën e tij Virgjër, Marinë; presin ditën e gjyqit; prakitkojnë lutjen, lëmoshën e agjërimin”.

“Dialogu, për të cilin kemi nevojë, vijoi Papa, nuk mund të jetë ndryshe, veçse i hapur e respektues. E atëherë do të jetë edhe i frytshëm. Respekti reciprok është kusht e, njëkohësisht, qëllim i dialogut ndërfetar.  E kjo do të thotë të respektosh të drejtën e tjetrit për jetë e integritet fizik, të respektosh liritë themelore, domethënë lirinë e ndërgjegjes, të mendimit, të shprehjes e të fesë”. 

“I shprehim mirënjohje të veçantë Zotit për shndërrimet, që u bënë këto 50 vjet në marrëdhëniet ndërmjet të krishterëve dhe hebrenjve. Indiferenca dhe kundërvënia, u shndërruan në bashkëpunim e dashamirësi. Nga armiq  e të huaj, u bëmë miq e vëllezër. Koncili, me Deklaratën “Nostra Aetate”, hapi udhën për rizbulimin e rrënjëve hebraike të krishterimit, duke iu kundërvënë çdo forme të antisemitizmit e, si pasojë, duke dënuar edhe çdo padrejtësi, diskriminim e persekutim.








All the contents on this site are copyrighted ©.