2015-10-27 11:29:00

Sinodi. Atë Fares: Françesku do barinj të aftë për të shoshitur e për të ecur përpara


“Parfumi i bariut”. Ky, titulli i librit, shkruar nga jezuiti argjentinas, atë Diego Fares, botuar nga Ancora, të cilin Papa Françesku ua dhuroi Etërve sinodalë në përfundim të Sinodit kushtuar familjes. Në tekst, teologu i revistës “Qytetërimi Katolik”, i cili e njeh nga afër Jorge Mario Bergoglion që prej dyzet vitesh, realizon një panoramikë të mendimit të Papës Françesku kushtuar figurës së ipeshkvit. Iu lutëm të na thotë diçka lidhur me përmbajtjen e librit, me vështrim të veçantë mbi Sinodin. Ta dëgjojmë, atë Diego Fares, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - “Parfumi i bariut” si libër e si titull, lindi nga një këshillë e drejtorit tonë të “Civiltà Cattolica”, atë Antonio Spadaro, i cili vitin e kaluar, sapo arriti në Romë, më pati thënë: “Ti duhet të shkruash diçka që lidhet me figurën e ipeshkvit në gjirin e popullit të tij, të ipeshkvit që, siç shprehet Françesku, i vjen era dele”. Menduam se ishte e nevojshme ta bënim të dukshëm këtë gëzim të bariut në mes të grigjës së tij, duke parë se ky shërbim sot duket paksa abstrakt e, ndoshta, larg nga njerëzit. “Parfumi i bariut” është figurë plotësuese e asaj të bariut, që i vjen erë dele, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për erën, në kuptimin popullor të kësaj fjale. Delet e Popullit të Zotit, të gjithë burrat e gratë vullnetmira të kësaj bote, kanë erën e Krishtit; ky është parfumi i Gjakut të paçmueshëm, që i shpërbleu. Bariu dhe delet dinë ta dallojnë parfumin e të vetmit bari. Atëherë ideja, ose më mirë të themi, misioni im, ishte që, përmes këtij libri të vogël, të jepja një dëshmi të posaçme të Bariut të Mirë, që është Papa Françesku: të gjithë e dimë se është Bari i Mirë, jo në kuptimin e drejtpërdrejtë, merret me mend: ne jemi një grup i madh miqsh në Zotin, që e njohim Françeskun prej shumë vitesh. Mund t’u themi njerëzve të ditëve tona: “Shikoni, Zoti jua përgatiti këtë bari gjatë gjithë jetës së tij, e ky është shërbim, që i bëhet Kishës”. Kjo e bën të dukshme besnikërinë e Zotit dhe jep shpresë për të ecur përpara. Zoti nuk e lë kurrë popullin e vet pa barinj të mirë.

Pyetje: - Cilat janë sipas jush, elementet që e karakterizojnë më shumë figurën e ipeshkvit, ashtu si e mendon Papa?

Përgjigje: -  Jo vetëm të ipeshkvit, do të thosha, por edhe të të gjithë barinjve, sepse edhe babai e nëna janë barinj të grigjës së tyre të vogël, të familjes së tyre. Ne, priftërinjtë, ipeshkvinjtë, duhet të mësojmë nga këta barinj realë të botës së sotme. Karakteristikat e librit janë të tilla, që “mund të nuhaten”, sepse parfumi - thotë Françesku - nuk mund të jetë abstrakt; barinjtë ecin e luten me popullin; barinjtë janë dëshmitarë të Zotit të kryqëzuar e të ngjallur. Natën bariu – natë që nganjëherë zgjat me dhjetra vite – e mbledh grigjën në vathën e një teologjie, ose të një zakoni a të një tradite, që duket më e sigurt - por në mëngjes e  nxjerr në kullotë, që të gjejë ujë të freskët e bar të njomë. Kjo është figura e bariut!

Pyetje: - Sinodi i ipeshkvinjve kushtuar familjes sapo përfundoi. Çfarë ju la më shumë mbresë, duke menduar përmbajtjen e librit tuaj?

Përgjigje: - Duke i hedhur një sy dokumentit sinodal, në tekstet e tij më domethënëse kushtuar barinjve, flitet kryesisht për dy gjëra: për afërsi – bariu duhet të jetë afër, pranë, ta shoqërojë familjen, duke i dhënë guxim, shpresë – e duhet të ketë edhe aftësi për të shoshitur. Kështu shkruhet në pikën e shumëdiskutuar n. 85, ku citohet Shën Gjon Pali II, që thotë: “Barinjtë duhet ta dinë se nga dashuria për të vërtetën, detyrohen t’i shoshisin mirë situatat e ndërlikuara të familjeve”. Lidhur me këtë pikë, më duket e rëndësishme të kujtoj Sinodin, që thotë: “Çiftet dhe familjet nuk janë realitete abstrakte; mbeten të papërkryera, duhet të rriten”; kjo është fraza, që lexohet në fillim të pikës 4 të Relacionit. Bëhet fjalë për familje reale, të shoqëruara nga barinj realë, që jetojnë me afërsi e dashuri të krishterë. Më duket se ky është një hap para në Sinod; t’u besosh barinjve, priftërinjve, babait e nënës, sepse kjo është reale. Diskutimet shpesh bëhen abstrakte. Ashtu si na e kujton Shën Toma: “Maturia e shoshitja nuk përfundojnë me një shoshitje tjetër, por me veprim: duhen marrë vendime, duhen korrigjuar e duhet shkuar përpara”. Sinodi i beson kësaj shoshitjeje, që bëjnë familjet, bariu e mbarë bashkësia.








All the contents on this site are copyrighted ©.