2015-10-27 14:27:00

Kardinali Scola: Papa do të shkojë në Milano më 7 maj


Kryeipeshkvi i Milanos, kardinali Angelo Scola, njoftoi sot paradite se Papa Françesku do të shkojë për vizitë baritore në qytetin e njohur lombard, më 7 majin e vitit të ardhshëm. Lajmi u dha gjatë takimit të Patriarkut të maronitëve, Bechara Boutros Raji me meshtarët vendas. Udhëtimi i Papës në qytetin e Shën Ambrozit, shpjegoi kardinali, “është shenjë delikate e dashurisë dhe e vlerësimit të Papës për Kishën ambroziane”. Ai do të zhvillohet në kuadrin e Vitit Jubilar të Mëshirës, shpallur nga Ati i Shenjtë pikërisht për të treguar afërsinë e Kishës, në vërtetësi e bamirësi, me çdo njeri, të çfarëdo moshe, prejardhjeje e kulture. Prania e kujdesshme e Papës u duk qartë në Sinodin e ipeshkvijve për familjen, i cili sapo përfundoi në Vatikan. Kardinali Scola theksoi se tani pritet ndërhyrja e Atit të Shenjtë mbi bazën e relacionit përfundimtar sinodal, që i është dorëzuar Françeskut. Lajmi i vizitës së Papës në Milano u prit me duartrokitje të stuhishme nga besimtarët e pranishëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.