2015-10-26 14:32:00

Shqipëria në Arkivin e Vatikanit - Kongregatës së Propagandës së Fesë


Filloi sot pranë Universitetit Papnor Urbaniana Kuvendi dy ditor ndërkombëtar “Shqipëria në Arkivin e Kongregatës së Selisë së Shenjtë për Propagandën e Fesë” (Propaganda Fide) në Romë, 26- 27 tetor 2015. Kuvendi ndërkombëtar mbahet në kuadrin e përgatitjeve të IV qindvjetorit të Themelimit të Propagandës së Fesë.

Në një deklaratë për shtyp, organizatori i këtij Kuvendi, Prof. Ardian Ndreca kujton se Propaganda Fide është themeluar në vitin1622 nga Papa Gregori XV. Detyra e saj që nga fillimet ishte mbështetja dhe krijimi i kushteve të duhura për ruajtjen e identitetit të krishterë, në mënyrë të veçantë në ato vende ku ky identiteti rrezikohej për shkak të kushteve politike e historike të kohës.

Duke qenë se, asokohe, pjesa më e madhe e territoreve të Arbërit bënin pjesë në Juridiksionin e Kishës së Romës, Propaganda Fide vijoi përkujdesjen e mëparshme që Selia e Shenjtë (Vatikani) kishte treguar ndaj atij populli e atyre trevave. Kujtojmë, këtu, sa për shembull të dërguarit e posaçëm të Papëve Eugjeni  IV e Nikolò V pranë Gjergj Kastriotit, por edhe marrëdhëniet e mëparshme të Selisë së Shenjtë me popullit shqiptar, të cilat janë dokumentuar nga studiues si L. Von Thallóczy, K. Jireček, M. Šufflay, G.  Valentini e shumë të tjerë.

Në vitin 1627 Papa Urbani VIII themeloi Universitetin e Propagandës Fide, vatër ku u formuan studentë nga vise të ndryshme të botës si Kina, Armenia, Egjipti, Dalmacia, Arbëria, India, shumë prej të cilëve më pas u shquan në vendet e  tyre në fushën e  misionit, të kulturës, artit dhe arsimit.

Ndër studentët shqiptarë që ndoqën këtë vatër kulture përmendim disa që janë më të  famshëm ndër shqiptarë: Frang Bardhi, Pjetër Budi, Pjetër Bogdanin, Gjon Nikollë Kazazi e tjerë. Por përveç këtyre, deri në vitet  ’40 të shekullit XX, ka pasur dhjetëra e dhjetëra që janë formuar në kolegjin e  Propagandës së fesë e kanë punuar në trojet shqiptare, disa prej tyre duke dhënë edhe jetën për idealet kombëtare e fetare.

Që në shek. XVII misioni i Propagandës Fide për ruajtjen e besimit të  krishterë ndërthurej natyrshëm me interesat dhe idealet e shqiptarëve, të cilët gjatë gati katër shekujve u inkurajuan dhe u mbështetën me të gjitha mjetet për  ruajtjen e identitetit, gjuhës dhe orientimit të tyre shpirtëror perëndimor. Misionet e Propagandës shtriheshin nga malësia e Hotit e Grudës deri në  Janinë, nga Shkupi e Peja deri në Himarë e Prevezë.

Synimi i vazhdueshme i  Selisë së Shenjtë dhe i Propagandës ishte ruajtja e zhvillimi i gjuhës shqipe, dhe ai i identitetit kombëtar e shpirtëror, si edhe mbajtja gjallë e ndjenjës së lirisë në trojet  shqiptare. Këtë gjë e dëshmon aktiviteti i vrullshëm i misionarëve të Propagandës së Fesë si dhe i mbarë klerit vendas, që varej prej saj, në përgatitjen e kryengritjeve të ndryshme anti-osmane.  

Kujtojmë këtu projektin e ipeshkvi shqiptar imzot Pjetër Budit për kryengritjen e vitit 1621, organizimin e kryengritjes së madhe me rastin e luftës së pestë  turko-venedikase (1645)  nga ana e Fretërve françeskanë etj.

Nën kujdesin e Propagandës gjejmë edhe shkolla shqipe që në shek. XVI në Pëdhanë, Blinisht e Shkodër.

Në vitin 1626 në gjirin e Propagandës themelohet edhe tipografia e famshme Polyglotta, e cila ishte në gjendje të shtypte libra në gjuhët kryesore të botës.

Në këtë shtypshkronjë u shtypën shumë vepra me rëndësi për kulturën, gjuhën e letërsinë shqipe.  Nga shtypshkronja Polyglotta panë dritën e botimit vepra si Dictionarium latino 0epiroticum (1635) i Frang Bardhit, Dottrina Christiana (16362) e Pjetër Budit, aktet e Kuvendit të Arbrit në gjuhën shqipe (Concilium Albanum,1706), Osservazioni grammaticali nella lingua albanese (1716) të Francesco Da Lecce, Doktrina ekrishtenë (1743) e Gjon Kazazit, Nji tubë lutjesh shqip (1766) e Gjergj Engjëll Radovanit e shumë vepra tjera me vlerë për historinë e gjuhës dhe kulturës sonë.

Vetëm Arkivi i Propagandës Fide, pa përmendur këtu Arkivin Sekret, Bibliotekën Apostolike e Arkivat tjerë të Vatikanit, ruan edhe sot e kësaj dite një numë të madh të dokumenteve që i përkasin historisë së popullit e të trevave shqiptare, duke nisur nga fillimet e shekullit XVII. Një pjesë e tyre janë studiuar,  transliteruar e botuar nga historianë si Atë Zef Valentini, Peter Bartl, Injac Zamputti, Jak Marlekaj, Italo Sarro, Marko Jacov etj.

Qëllimi i këtij kuvendi ndërkombëtar, i cili pason me një distancë prej më  shumë se katër dekadash Kuvendet e kësaj natyre që organizonte prof. Ernest Koliqi në Romë, është nxjerrja në pah të vlerave të paçmuara të këtij arkivi për historiografinë shqiptare dhe zgjimin e interesit të strukturave akademike si dhe të Shtetit shqiptar ndaj këtij arkivi, i cili përbën një burim parësor për interpretimin e historisë së shqiptarëve.

Në katër seancat e Kuvendit, të cilat shtrihen në një hark kohor dy ditor, marrin pjesë autoritete në fusha të historisë, gjuhësisë, letërsisë, historisë së Kishës etj. Ndër ta kujtojmë: Peter Bartl, Bardhyl Demiraj, Marco Moroni, Italo Sarro, Marko Jačov, Roberto Morozzo della Rocca, Matteo Mandalà, Lucia Nadin etj. Aktet e kuvendit do të botohen nga shtëpia botuese Urbaniana University Press (Vatikan). Gjatë ditës së parë të punimeve do të inaugurohet në Vatikan edhe ekspozita me vepra te artistit shqiptar Lin Delija (1926-1994).








All the contents on this site are copyrighted ©.