2015-10-26 13:53:00

Papa: paqe për Irakun e Sirinë, të krishterët të mos detyrohen të ikin


“Lutem që të krishterët të mos detyrohen ta braktisin Irakun dhe Lindjen e Mesme”. Është një nga fragmentet më të rëndësishme të fjalës, që u drejtoi Papa pjesëmarrësve në Sinodin kaldeas, duke i pritur në audiencë, në Vatikan. Françesku i kërkoi përsëri bashkësisë ndërkombëtare t’i vërë në jetë të gjitha strategjitë e vlefshme për t’ia rikthyer paqen kësaj zone të martirizuar, ku buldozerët thërrmojnë gurë mijëravjeçarë, duke e kthyer në hi e pluhur historinë e krishterë e, akoma para saj, atë hebraike. E ku gjylet e mortajave rrafshojnë kisha e zemra, mbjellin frikë e dëshirë për të ikur nga sytë këmbët.

Prania e krishterë në këto troje është jetike - theksoi Papa dhe, duke iu drejtuar të pranishëmve, e përmes tyre, gjithë popullsive të Lindjes së Mesme, shtoi: “Selia e Shenjtë është gjithnjë pranë jush!”.

Jini ‘udhë’ e vlefshme për paqen

Në vijim Françesku i kërkoi klerit kaldeas të ecë në udhën e unitetit, që u ritheksua në Sinod, të favorizojë dialogun dhe bashkëpunimin me të gjithë përfaqësuesit e jetës publike, t’u japë fund përçarjeve të vjetra e të mos lejojë të lindin të reja, në mënyrë që tragjeditë e shkaktuara nga dhuna, t’i lëshojnë vendin atmosferës së bashkëjetesës reciproke.

Qëndrim atëror ndaj priftërinjve

Ju inkurajoj, shtoi Papa, të mbani qëndrim atëror ndaj priftërinjve e ndaj gjithë njerëzve të kushtuar, që janë bashkëpunëtorët tuaj më të afërt e, duke respektuar traditën dhe normat, t’i mikprisni, t’i mirëkuptoni, t’i bëni gjithnjë më të vetëdijshëm për shërbimin e tyre baritor ndërmjet grigjës së besimtarëve:

“Përpiquni t’i zhdukni distancat, që ju ndajnë e të dalloni urgjencat aktuale të Kishës kaldease si në mëmëdhe, ashtu edhe në diasporë”- ishte porosia  e Papës.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.