2015-10-26 16:10:00

Papa, popullit cigan: kurrë më tragjedi për fëmijët tuaj


Kurrë më tragjedi për fëmijët, që “vdesin nga të ftohtët e nga flakët”, por edhe kurrë më “mashtrime, gënjeshtra, zënie”: ka ardhur koha për të ndërtuar shoqëri dhe periferi më njerëzore. Këto janë fjalët e Papës Françesku për pjesëmarrësit e shtegtimit botëror të popullit cigan. Ngjarja u promovua nga Këshilli Papnor për Baritorinë e Emigrantëve dhe të Endacakavë, në bashkëpunim me Fondacionin “Migrantes” të Konferencës Ipeshkvnore Italiane, me dioqezën e Romës dhe me Bashkësinë e Shën Egjidit.

 7 mijë vetëve të pranishëm në Sallën Pali VI në Vatikan, me ritmet, vallet dhe këngët e tyre, Papa Françesku u tha se e njeh mirë historinë e popullit cigan, i cili has vështirësi kudo në botën perëndimore, i mënjanuar  në periferitë e qyteteve, shpesh pa punë e në kushte të këqia jetese:

“Nuk duam të shohim më tragjedi familjare, në të cilat fëmijët vdesin nga të ftohtët e nga flakët, ose bëhen objekte në duart e njerëzve të degjeneruar, të rinjtë e gratë përfshihen në trafikun e drogës, ose në atë të qënieve njerëzore. E kjo, sepse shpesh biem në indiferencën e në paaftësinë për t’i pranuar zakonet dhe këndvështrimet e ndryshme nga tonat”.

 Janë gjendje, që bien ndesh me të drejtën e njeriut për të pasur një jetë dhe një punë dinjitoze, për të pasur arsim dhe asistencë shëndetësore, nënvizoi Papa, i cili nuk harroi t’u tërheqë vëmendjen ciganëve ndaj detyrave, që kanë në shoqëri:

“Të dashur miq, mos u jepni rast mjeteve të komunikimit dhe opinionit publik të flasin keq për ju. Ju jeni protagonistët e të tashmes dhe të ardhmes suaj. Si të gjithë qytetarët, mund të kontribuoni në mirëqënien e në përparimin e shoqërisë, duke respektuar ligjet, duke plotësuar detyrat e duke u integruar përmes emancipimit të brezave të rinj”.

E Ati i Shenjtë u bëri thirrje të tregojnë kujdes të veçantë për fëmijët e të rinjtë:

 “Fëmijët janë thesari juaj më i çmuar. Kultura juaj, sot, është në ndryshim e sipër, zhvillimi teknologjik i bën të rinjtë më të vetëdijshëm për mundësitë dhe për dinjitetin e tyre dhe, ata vetë ndjejnë nevojën të punojnë për promovimin njerëzor personal e për atë të popullit tuaj. Kjo kërkon që t’u sigurohet shkollarizim i përshtatshëm. E këtë, edhe duhet ta kërkoni: është e drejta juaj”.

 Arsimimi, theksoi Papa, është baza për zhvillimin e njeriut. Ndërkaq, njihet mirë niveli i ulët i shkollarizimit të të rinjve ciganë, pengesë kryesore për punësimin e tyre:

         “Bijtë tuaj kanë të drejtë të shkojnë në shkollë, mos i pengoni! Fëmijët tuaj kanë të drejtë të shkojnë në shkollë! Është e rëndësishme që nxitja drejt arsimimit më të madh të nisë nga familja, të nisë nga prindërit, nga gjyshërit; është detyrë e të rriturve të sigurohen që të rinjtë shkojnë në shkollë. Arsimi u jep mundësinë të rinjve tuaj të bëhen qytetarë aktivë, të marrin pjesë në jetën politike, shoqërore dhe ekonomike të vendeve përkatëse”.

         Ati i Shenjtë bëri thirrje që institucionet, në çdo vend, të bëjnë ç’është e mundur për ta bërë të njohur historinë, kulturën dhe vlerat e popullit cigan, sepse kjo i shërben integrimit dhe dialogut. Është koha, nënvizoi Papa Françesku, të lihen mënjanë paragjykimet shekullore, që sjellin diskriminimin, racizmin dhe ksenofobinë ndaj këtij populli. Edhe ciganët duhet të bëjnë pjesën e tyre:

         “Ju nxis juve të parët, që në qytetet, ku sot ndjehet fryma e individualizmit, të impenjoheni për të ndërtuar periferi më njerëzore, lidhje vëllazërimi e bashkëpunimi; e keni këtë përgjegjësi, që është edhe detyra juaj. E mund ta kryeni nëse jeni, së pari, të krishterë të mirë, duke shmangur çdo gjë që nuk është e denjë për këtë emër: mashtrimet, gënjeshtrat, zëniet”.

         Papa solli shembullin e të lumit Zeffirino Giménez Malla, bir i popullit cigan, i cili u dallua për virtyte, për përvuajtëri e ndershmëri. Më pas, Ati i Shenjtë përqafoi Marinë, një nënë të re, që i kërkoi t’i bekojë të tre bijtë e saj. Vuri në dukje rritjen e numrit të meshtarëve e murgeshave nga radhët e popullit cigan. Njëri prej tyre është madje ipeshkëv dhe ishte i pranishëm sot në sallë.

         Kujtojmë se qe Papa Pali VI, që 50 vjet më parë vizitoi popullin cigan në Pomezia të Italisë, ai që e kuptoi rëndësinë e këtij populli në krijimin e një kulture të pajtimit e të shpresës. Papa Montini e nxiti Kishën të kishte besim tek ky popull dhe kurorëzoi Zojën e Ciganëve në vitin 1965, gjest të cilin Françesku e përsëriti sot.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.