2015-10-25 12:22:00

Papa në Meshën e mbylljes së Sinodit: sot është koha e mëshirës


Françesku kremtoi sot paradite, në Bazilikën e Shën Pjetrit, Meshën e mbylljes së Sinodit kushtuar familjes, duke i ftuar Etërit sinodalë të vijojnë rrugën që dëshrion Zoti, udhën e Mëshirës Hyjnore, pa iu errësuar kurrë sytë nga pesimizmi e nga mëkati.

Fjala “mëshirë” u përsërit disa herë në homelinë e Papës, duke kujtuar edhe Jubileun, që do të hapet më 8 dhjetorin e ardhshëm. E gjatë homelisë, Papa komentoi tre leximet liturgjike të kësaj së diele. Të tre kanë në qendër të vëmendjes mëshirën e Zotit, kanë atësinë e Tij, që zbulohet vazhdimisht në Jezusin, kujtoi, e në vijim theksoi se Ati kujdeset për bijtë e tij, i shoqëron në shtegtim, e mbështet të verbërin e të çalin, gruan shtatzënë e lehonën. Atësia e Tij, vijoi të kujtojë Françesku, hap udhën e ngushëllimit, pas lotëve e hidhërimeve, që e mundojnë aq shumë zemrën njerëzore.

U ndalua edhe te Psalmi, Ati i Shenjtë, posaçërisht tek thirrja e gëzimit, që populli i Zotit drejton kah qielli: “Në të shkuar ecnim e qanim, por në kthim do të vijmë plot me gëzim”(Ps. 125,6).

Duke u ndaluar posaçërisht tek Ungjilli i ditës, Françesku kujtoi se lidhej drejtpërdrejt me leximin e parë: ashtu si Populli i Izraelit u çlirua nga robëria falë atësisë së Hyjit, kështu edhe Bartimeu u lirua nga verbëria, falë mëshirës së Jezusit:

“Jezusi dëshiron të bisedojë me secilin prej nesh, të bisedojë për jetën, për ngjarjet reale. Prej këndej, pas shërimit, Zoti i thotë këtij njeriu: ‘Feja jote të shpëtoi!’. Gjë e bukur të vëresh sesi Krishti e admiron fenë e Bartimeut, duke i besuar. Sepse Jezusi beson në ne,  shumë më tepër se besojmë ne vetë në vetvete”.

Por duhet vërejtur edhe një hollësi, shtoi Papa gjatë homelisë. Jezusi i drejtohet të verbërit, duke përdorur dy shprehje interesante: “Zemër! Ki besim” si dhe "Çohu!",“Ngreju!, ashtu si u kishte thënë shumë të sëmurëve të tjerë, të cilët i pati marrë për dore, duke i shëruar:  “Vetëm Jezusi i jep njeriut forcën për t’i përballuar situatat më të rënda”.

Por nuk është e lehtë ta ndjekësh pas Jezusin. Nuk mungojnë edhe tundimet. Papa kujtoi, gjatë homelisë, vetëm dy. Asnjë nga dishepujt nuk u ndalua për ta dëgjuar nga afër britmën e njeriut të verbër. Vijuan udhën qetë-qetë, si të mos kishte ndodhur gjë. Nëse Bartimeu ishte i verbër, shpjegoi Papa, ata ishin të shurdhër, thjesht sepse verbëria e lypësit nuk ishte problemi i tyre. Mund të na ndodhë edhe ne – tërhoqi vëmendjen Françesku - ashtu si këtyre dishepujve. Jemi me Jezusin, por nuk mendojmë si Jezusi. Mund të flasim për Të e të punojmë për Të, por të jetojmë larg zemrës së Atij, që kujdeset gjithnjë për njeriun e plagosur: “Feja, që nuk di të rrënjoset në jetën e njerëzve, mbetet e thatë e, në vend që të krijojë oaza, krijon shkretëtira të tjera”.   

Duke ndjekur historinë e Bartimeut të verbër, Papa kujtoi se ai u shërua dhe u bashkua me ata, që ecnin pas Jezusit. T’i kërkojmë Atij - përfundoi Françesku- sy të shëruar e të shpëtuar, që dinë të përhapin dritë, për të kujtuar Atë, që ua ktheu dritën. “Pa iu nënshtruar pesimizmit e mëkatit, ta kërkojmë e ta shikojmë lumninë e Zotit, që shkëlqen në njeriun e gjallë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.