2015-10-25 12:27:00

Papa në fund të Sinodit: mbrojtës i vërtetë i doktrinës nuk është kush mbron idetë, por njeriun.


Kisha nuk shpërndan mallkime, por shpall mëshirën e Zotit, larg atyre që duan ta indoktrinojnë Ungjillin, për ta shndërruar në gurë të vdekur, që të gjuajnë me ta të tjerët. Është ky pohimi i Papës, në përfundim të punimeve të Sinodit kushtuar familjes.

Probleme të përballuara pa e fshehur kokën nën rërë

Fjalim i thellë dhe i fuqishëm! Papa Françesku, pasi falënderoi  pjesëmarrësit në punime, sintetizoi të gjitha problemet kryesore të këtij Sinodi. Sigurisht – theksoi – nuk u gjetën rrugëzgjidhje përfundimtare për të gjitha vështirësitë e dyshimet, që sfidojnë e kërcënojnë familjen, por  këta u shikuan nën dritën e Fesë e u përballuan pa frikë e pa e fshehur kokën nën rërë. Një Sinod - tha - që i nxiti të gjithë ta kuptojnë rëndësinë e institucionit të familjes e të martesës së burrit me gruan, themeluar mbi unitetin dhe pazgjidhshmërinë, e për ta vlerësuar si bazë kryesore të shoqërisë e të jetës njerëzore.

Të mos fshihemi pas doktrinës, për të gjuajtur me gurë

Ishte Sinod, që dha prova për gjallërinë e Kishës Katolike, e cila nuk ka frikë t’i shkundë ndërgjegjet e dremitura e as t’i ndotë duart, duke diskutuar gjallërisht e sinqerisht mbi familjen. E pastaj, ja çfarë do të thotë  ky Sinod, për Papën Françesku:

“Do të thotë që u dëshmoi të gjithëve se Ungjilli mbetet për Kishën burimi i gjallë i risisë së amshuar, kundër kujt dëshiron ta ‘indoktrinojë’, ta shndërrojë në gurë të vdekur, për të gjuajtur, pastaj, me ta, të tjerët. Do të thotë edhe se i hapi zemrat e mbyllura, të cilat shpesh fshihen deri pas mësimeve të Kishës, ose pas ndjeteve të mira, për t’u ulur në katedrën e Moisiut e për të gjykuar, nganjëherë me epërsi e cektësi, rastet e vështira dhe familjet e plagosura”.

Të kapërcehet ermeneutika konspirative

Domethënie tjetër e Sinodit, është ajo e pohimit se Kisha është Kishë e të varfërve në shpirt dhe e mëkatarëve në kërkim të faljes, e jo vetëm e të drejtëve dhe e shenjtorëve, madje është e të drejtëve dhe e shenjtorëve, kur ndjehen të varfër e mëkatarë:

“Kjo do të thotë se u përpoq të hapë horizonte për të kapërcyer çdo hermeneutikë konspirative ose mbyllje të perspektivave, për të mbrojtur e për të përhapur lirinë e bijve të Hyjit, për të transmetuar bukurinë e risisë së krishterë, nganjëherë të mbuluar nga ndryshku i një gjuhe të vjetëruar a të pakuptueshme”.

Liria e shprehjes, Kisha nuk përdor formulare të parapërgatitura

“Në udhën e këtij Sinodi - nënvizoi akoma - opinionet e ndryshme, që u shprehën lirisht, ndonëse për fat të keq nganjëherë me metoda jo krejt  dashamire - e pasuruan dhe e gjallëruan dialogun, duke ofruar një figurë të gjallë të një Kishe, që nuk përdor “formulare të parapërgatitura”, por që e nxjerr nga burimi i pashterrshëm i fesë së vet, ujin e gjallë për të shuar etjen e zemrave”.

Inkulturimi

Pa kujtuar “çështjet dogmatike të përcaktuara nga Magjisteri i Kishës” – tha Papa- u vërejt ndjeshmëria e ndryshme e barinjve të kontinenteve të ndryshme, në përkim me kulturat e tyre:

“Inkulturimi –pohoi – nuk i ligështon vlerat e vërteta, por tregon forcën e tyre të njëmendtë dhe vërtetësinë e tyre, sepse ato përshtaten, pa ndryshuar, madje i shndërrojnë paqësisht e gradualisht kulturat e ndryshme”.

Jo, relativizmit e demonizimit të të tjerëve

Pamë, edhe përmes pasurisë së larmive tona – shtoi - se sfida që kemi para është gjithnjë e njëjta: t’ia kumtojmë Ungjillin njeriut të sotëm, duke e mbrojtur familjen nga të gjitha sulmet ideologjike dhe individualistike:

“E, pa rënë kurrë në rrezikun e relativizmit, si dhe pa i demonizuar të tjerët, kërkuam ta përqafojmë plotësisht e trimërisht mirësinë dhe mëshirën e Zotit, që i tejkalon llogaritë tona njerëzore e nuk dëshiron tjetër, veçse që ‘TË GJITHË NJERËZIT TË SHËLBOHEN!” (1 Tm2,4), për ta radhitur e për ta jetuar këtë Sinod në kontekstin e Vitit të jashtëzakonshëm të Mëshirës, që Kisha është e thirrur ta jetojë”.

Mbrojtës të vërtetë të doktrinës nuk janë ata që mbrojnë formulat, por dashurinë  e Zotit, që na dhurohet falas

Më pas nënvizoi:

“Përvoja e Sinodit na bëri të kuptojmë më mirë edhe se mbrojtësit e vërtetë të Doktrinës nuk janë ata, që mbrojnë letrën, por shpirtin; ata që mbrojnë idetë, por njeriun; që mbrojnë formulat, por jo dashurinë pa asnjë shpërblim të Zotit e ndjesën e tij. Kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë se formulat, ligjet e urdhërimet hyjnore duhen shikuar si më pak të rëndësishme, por se duhet lartuar madhështia e Zotit e se nuk bëhet fjalë për meritat tona e as për veprat tona, por vetëm për bujarinë e pakufishme të Mëshirës së Tij (cfr Rm 3, 21-30; ps. 129; Lk 11,37-54).

Kisha nuk shpërndan mallkime, por shpall mëshirën e Zotit

Papa fton të kapërcehen tundimet e vazhdueshme të vëllait të madh  e të punëtorëve ziliqarë. Kjo do të thotë të vlerësohen më shumë ligjet dhe urdhërimet e krijuara për njeriun, e jo anasjelltas:

“Detyra e parë e Kishës nuk është të shpërndajë dënime e mallkime, por të shpallë mëshirën e Zotit, të bëjë thirrje për pendesë e t’u prijë gjithë njerëzve kah shëlbimi i Zotit” (cfr Gjn 12, 44-50).

Mëshira, sipas Palit VI, Gjon Palit II e Benediktit XVI

Së fundi Françesku citoi tre papë. Në fillim kujtoi shprehjen e Palit VI: “Hyji, në Krishtin, na zbulohet pambarimisht i mirë”; pastaj, atë të Shën Gjon Palit II: “Kisha jeton një jetë të vërtetë, kur shpall e praktikon  mëshirën dhe i afron njerëzit tek burimet e mëshirës së Shëlbuesit, rojtare dhe shpërndarëse e të cilëve është”; e edhe të Papës Benedikti XVI: “Mëshira është, në të vërtetë, thelbi kryesor i mesazhit ungjillor, është vetë emri i Zotit!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.