2015-10-24 16:57:00

Sinodi. Thirrje për Lindjen e Mesme, Afrikën, Ukrainën: mjaft më mizori!


Në përfundim e sipër, Sinodi i 14-të i përgjithshëm i zakonshëm kushtuar familjes: sot paradite, në Kongregacionin e përgjithshëm u lexua, në sallë, Relacioni përfundimtar, i hartuar nga Komisioni i posaçëm prej dhjetë anëtarësh, emëruar nga Papa. Pasdite teksti u votua paragraf për paragraf. I takon, pastaj, Papës, të vendosë për ta botuar ose jo. Ndërkaq u shpërnda mesazhi i Sinodit për familjet, që jetojnë në situata konflikti në Lindjen e Mesme, Afrikë e Ukrainë.

“Jo më dhunë, jo më terrorizëm, jo më shkatërrime, jo më persekutime! Të marrin fund menjëherë armiqësitë dhe trafiku i armëve!”. Kështu shkruhet në mesazhin e Sinodit, drejtuar familjeve të Lindjes së Mesme. Dokumenti kujton konfliktet e përgjakshme në vijim, që shkaktojnë mizori të padëgjuara. E, më pas, edhe armët e shkatërrimit në masë, vrasjet, rrëmbimet, trafikun e grave, rekrutimin e fëmijëve, persekutimet për shkaqe fetare dhe etnike, shkatërrimin e vendeve të kultit, rrafshimin e pasurisë kulturore.

Po shkelen të drejtat për jetën e për lirinë fetare

Këto mizori të panumërta, pohohet në mesazh, i detyruan mijëra familje të ikin nga shtëpitë e tyre e të kërkojnë strehë gjetiu, shpesh në kushte, në të cilat u mungon gjithçka e u shkelen vazhdimisht e drejta humanitare ndërkombëtare, parimet themelore të dinjitetit njerëzor e të bashkëjetesës në paqe e harmoni ndërmjet popujve, të drejtat për jetën e lirinë fetare.

Të kërkohet paqja, e jo me forcë, por me e përmes udhëve diplomatike.

Duke u shprehur, pastaj, mirënjohjen vendeve, që i mirëpresin refugjatët, si Jordania, Libani, Turqia e shumë kombe evropiane, Sinodi siguron se është solidar, se lutet për banorët e Lindjes së Mesme e se kërkon edhe lirimin e gjithë njerëzve të rrëmbyer. Paqja nuk duhet kërkuar përmes rrugëzgjidhjeve, që imponohen me forcë, pohon mesazhi, por me vendime politike, që respektojnë veçoritë kulturore e fetare të Kombeve të ndryshme. Edhe Bashkësisë ndërkombëtare i bëhet thirrje që, duke lënë mënjanë interesat e veçanta, të kërkojë rrugë diplomatike.

Të mos merret nëpër gojë emri i Zotit, për të ushtruar dhunë

Jemi të bindur, pohojnë Etërit sinodalë, se paqja është e mundshme e se mund t’i japë fund edhe dhunës në Siri,  Irak, Jeruzalem e në mbarë Tokën Shenjte, sepse pajtimi është fryt i drejtësisë, i respektit, i faljes. Prej këndej, kujtohet ftesa e Papës që të mos ushtrohet kurrë dhunë në emër të Zotit e që hebrenj, të krishterë e myslimanë të shikojnë në besimtarin tjetër, një vëlla, që duhet respektuar e duhet dashur.

Urohet që familjet të rikthehen në jetën dinjitoze e të qetë e, së fundi, i njëjti shqetësim dhe e njëjta dashuri shprehen për të gjitha familjet, që jetojnë në situata të ngjashme në vise të tjera të botës, posaçërisht në Afrikë e në Ukrainë, vende “shumë të pranishme” në mendimin e Asamblesë sinodale, me urimin që të rikthehen sa më shpejt në një jetë dinjitoze e të qetë.








All the contents on this site are copyrighted ©.