2015-10-23 12:32:00

Papa themelon Dikasterin e ri për laikët, familjen e jetën


Dje, në fillim të Kongregacionit të përgjithshëm të pasdites, në Sinodin kushtuar familjes, që vijon në Vatikan, Papa Françesku mori fjalën, duke njoftuar vendimin për të themeluar një dikaster të ri, me kompetenca për laikët, familjen, jetën. Do të zëvendësojë dy Këshillat aktuale për laikët e familjen. Me Dikasterin e ri do të lidhet edhe Akademia Papnore për Jetën.

Një hap i ri konkret ky, i Papës Bergoglio, në procesin e reformimit të Kuries Romake. Me këtë rast Françesku krijoi edhe një Komision të posaçëm i cili – sqaroi - do të hartojë tekstin, që përcaktotn kanonikisht kompetencat e Dikasterit të ri. Ky tekst, pastaj, do t’i nënshtrohet diskutimit të Këshillit të Kardinajve, që do të mbahet dhjetorin e ardhshëm. Miratimi përfundimtar, prandaj, i takon Sesionit të Këshillit të 9 Kardinajve (K9), që do të mbahet në Vatikan nga 10 deri më 12 dhjetorin e ardhshëm, pikërisht në ditët e para të Vitit Shenjt të jatshëzakonshëm të Mëshirës. Hapi tjetër i reformimit të Kuries, pas themelimit, muajt e shkuar, të Sekretarisë për Ekonominë e të asaj për Komunikimin, është edhe krijimi i një Kongregate tjetër, për bamirësinë, drejtësinë e paqen, që do të përfshijë kompetencat e Këshillave Papnore të Drejtësisë e Paqes, Cor Unum, për emigrantët, punonjësit e shëndetësisë si dhe Akademinë e Shkencave shoqërore. Shkon, kështu, përpara, procesi i thjeshtëzimit të veprimtarive të Kuries.

Propozimi për realizimin e projektit të kongregatës së re, iu propozua Papës nga 9 Kardinajtë në sesionin e shtatorit të kaluar, menjëherë pas shtegtimit apostolik në Kubë e SHBA. Kuptimplotë, fakti, që Papa e dha njoftimin pikërisht gjatë punimeve të Sinodit kushtuar familjes. E duhet kujtuar edhe se asgjë, as zërat që merren me shëndetin e tij, tashmë të përgënjeshtruara, nuk e trazojnë fare Papën, që vijon qetë-qetë udhën e nisur: udhë pune, reformimi, thjeshtimi, në shërbim të Kishës, të besimtarëve, të mbarë njerëzimit, sepse në shërbim të përhapjes së Ungjillit, të ungjillëzimit të ri.








All the contents on this site are copyrighted ©.