2015-10-22 16:09:00

Shën Gjon Pali II. Mons Oder: Wojtila e Bergoglio, mëshira në zemër


Sot më 22 tetor, bie përkujtimi liturgjik i Shën Gjon Palit II, kanonizuar nga Papa Françesku më 27 prill të vitit të kaluar së bashku me Shën Gjonin XXIII.
Që herët në mëngjes, shumë besimtarë kanë shtegtuara e janë mbledhur pranë varrit të Shenjtit Wojtila, në Bazilikën e Vatikanit. Ndër Papët më të dashur të historisë, Karol Wojtila ka qenë, mund të themi në një mënyrë të veçantë, “Papa i familjes” – siç e kujtoi dje gjatë audiencës së përgjithshme Papa Françesku – dhe “Papa i të rinjve”, të cilët vitin e ardhshëm, pikërisht në tokën e vendlindjes, në Krakov, do ta kremtojnë Ditën e tyre Botërore të Rinisë. Pastaj nuk mund të harrojmë devocionin e tij të madh për Mëshirën Hyjnore, një aspekt tjetër, ky, që e lidh ngushtë me Jorge Mario Bergoglio-n. Mbi aktualitetin e figurës e të Magjisterit të Papa Shën Gjon Palit II e të lidhjes me Papën Françesku, flet postulatori i Çështjes së Kanonizimit së Karol Wojtilës, imzot Slawomir Oder:

Mund të kremtojmë qysh tani në një përkujtim liturgjik një person, të cilin e kujtojmë dhe ndjejmë të pranishëm e afër nesh, për sa e sa vite, si një inkurajim, për të mundur kështu të vazhdojmë të ecim në udhën e shenjtërimit, të besnikërisë, të thirrjes e të misionit tonë, të mbështetur nga ky mik i madh.

“Mos keni frikë, hapjani portat Krishtit” është shprehja që përmbledh tërë jetën e Karol Wojtilës. Figura e Gjon Palit II çfarë domethënie ka për njerëzit e kohës sonë ?

Vërtet, “Mos keni frikë” është një fjalë mund të themi gati si një testament që ai na ka lënë. Kjo fjali ka përshkuar  procesin e Kanonizimit e pastaj edhe takimet e ndryshme, që patën si synim përkujtimin liturgjik të Gjon Palit II. Në takime të mia me njerëz, kjo frazë kthehej e përsëritej si diçka që ka mbetur thellë në zemra të tyre. Është një fjalë e cila, përsëri sot, na mundëson të jetojmë momentin e tanishëm si një moment në të cilin duhet të dalim e të shkojmë larg, në thellësi, ta jetojmë pra me bujari jetën tonë, të mos mjaftohemi me mediokriteti, por të kemi përherë guximin për të bërë zgjedhje e marr vendime të rëndësishme e impenjative, të ndërgjegjshëm se Zoti është me ne e se na ndihmon në udhë tonë të përditshme.

Brenda pak javësh do të fillojë Jubileu i Mëshirës Hyjnore. Ky element është një ndër gjërat që më së shumti e lidhë Papa Françeskun me Shën Gjon Palin II?

Sigurisht se ekziston një fill vazhdimësie në këtë aspekt e realitet. Pa tjetër, përvoja që solli të dy ta konsiderojnë realitetin e Mëshirës së Zotit si element themelor të jetës së krishterë, kalon nëpër eksperiencën e tyre personale, një eksperiencë kjo unike dhe e papërsëritshme, por nuk duhet të harrojmë se thelbi i mesazhit është pikërisht ky: njeriu ka nevojë për Zotin, ka nevojë për Mëshirën e Tij Hyjnore.

Përtej analizave të teologëve, më shumë se shkrimet e vatikanistëve, ka një popull të Zotit që vazhdon ta dojë me gjithë shpirt figurën e Gjon Palit II…

Vërtet, është një fenomen, të cilin e kam vënë re që gjatë viteve të procesit, kur mblidhja dëshmi. Fenomen, që shprehej përmes fjalëve, të cilat i përsërisnin të gjithë si të ishin refren: “Papa ynë! Papa ynë!”. E thonin në polonisht, e thonin në italisht e, vazhdojnë ta thonë në të gjitha gjuhët e botës. Mbeti Papa i ditëve tona, sepse kujtimi i tij është gjithnjë i freskët, gjithnjë i gjallë: buzëqeshja, fjalët e tij, qëndrimi i tij atëror, i rreptë, por edhe mirëdashës, i sigurt në fjalë, në doktrinë e në afërsinë me njerëzit, që kishin nevojë për dashuri e mëshirë.








All the contents on this site are copyrighted ©.