2015-10-22 14:08:00

Papa: nuk jemi fakirë, përpjekjet tona i hapin dyert Shpirtit Shenjt


Përpjekjet e të krishterit synojnë t’ia hapin dyert e zemrës Shpirtit Shenjt. Kështu tha sot Papa Françesku, në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Sipas Atit të Shenjtë, kthimi i të krishterit në udhën e Zotit është “detyrë, është punë e përditshme”, që e çon drejt takimit me Jezusin. Leximi i sotëm, nga Letra e Shën Palit drejtuar Romakëve i dha shkas Papës të nënvizojë se rruga e shenjtërimit të jetës duhet përshkuar përditë.

Nuk jemi fakirë, përpjekjet tona i shërbejnë shenjtërimit

Shën Pali, vërejti Françesku, përdor imazhin e sportistit, të njeriut, që stërvitet për një garë. E nëse vetëm për të fituar garën, bëhen përpjekje kaq të mëdha, po ne, që duam të arrijmë deri në Qiell, ç’duhet të bëjmë? Shën Pali, u përgjigj Papa, na këshillon të ecim përpara e të mos i ndalim përpjekjet:

“‘Ah more Atë, po a mund të mendojmë se shenjtërimi vjen për hir të përpjekjeve që bëjmë, ashtu si fitorja e atij, që bën sport, vjen për hir të stërvitjes?’ Jo! Përpjekjet tona, kjo punë e përditshme për t’i shërbyer Zotit me shpirtin tonë, me zemrën e me trupin tonë, me gjithë jetën tonë, vetëm sa ia hap dyert Shpirtit Shenjt. Është Ai, që hyn në ne e na shpëton! Ai është dhurata në Jezu Krishtin! Përndryshe, ne do t’u ngjanim fakirëve: jo, ne nuk jemi fakirë. Me përpjekjet tona, ne hapim dyert”.

Mos u ktheni mbrapsht para tundimeve

Detyrë e vështirë kjo, pranoi Ati i Shenjtë, sepse pas nesh, në gjurmët tona, ecin edhe brishtësia, mëkati i rrjedhshëm, djalli tundues. Autori i Letrës drejtuar Hebrenjve, shtoi Papa, na paralajmëron kundër tundimit për të bërë hapa mbrapa, për të hequr dorë. Duhet të shkojmë gjithnjë përpara, pak nga pak, çdo ditë, edhe kur hasim vështirësi të mëdha:

 “Para disa muajve, takova një grua. E re, nënë familjeje – familje e bukur – që ishte e sëmurë me kancer. Tumor i keq. Por ajo lëvizte me lumturi, sikur të ishte shëndoshë e mirë. E duke folur për këtë sjellje, më tha: ‘Atë, unë bëj ç’është e mundur për të fituar mbi tumorin!”. Kështu, edhe i krishteri. Ne, që kemi marrë këtë dhuratë në Jezu Krishtin e kemi kaluar nga jeta e mëkatit, nga jeta e fajit në jetën e dhuratës në Krishtin, në Shpirtin Shenjt, duhet të bëjmë të njëjtën gjë. Çdo ditë, një hap. Çdo ditë, një hap”.

Të lutemi që të jemi të zotë në stërvitjen e jetës

Papa përmendi disa tundime si “dëshira për thashetheme” kundër ndokujt. Në atë rast, tha, duhet të përpiqemi ta mbyllim gojën. Ose, “na vjen gjumë e s’kemi dëshirë të lutemi”, por të përpiqemi të lutemi, edhe sikur për pak kohë. Të fillojmë nga gjërat e vogla, theksoi Françesku:

“Na ndihmojnë të mos dorëzohemi, të mos ecim mbrapsht, të mos kthehemi në gjendjen e fajit, por të shkojmë përpara drejt kësaj dhurate, drejt këtij premtimi të Jezu Krishtit, që do të jetë pikërisht takimi me Të. T’i lutemi Hyjit për këtë hir: të jemi të zotë në këtë stërvitje jete drejt Takimit, sepse kemi marrë dhuratë shpërblimin, dhuratën e Hirit, dhuratën e Shpirtit Shenjt në Jezu Krishtin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.