2015-10-22 14:30:00

Papa dhe Nënë Tereza: emigrantët shqiptarë në Romë përkujtojnë


Një pasdite përkujtimore për Një vjetorin e shtegtimit të Papës Françesku në Shqipëri dhe 12 vjetorin e lumnimit të Nënë Terezës: janë këto dy përvjetore, që e nxitën Ambasadën e Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë dhe Urdhërit Sovran Ushtarak të Maltës, si edhe misionarit për shqiptarët në Itali, don Pasquale Ferraron, njëkohësisht edhe Rektorin e Kishës së Shën Gjonit të Malvës, ku mblidhen shqiptarët në Romë, të organizojnë për të dielën, 25 tetor, një pasdite përkujtimore.

Takimi fillon në orën 17, menjëherë pas Meshës në gjuhën shqipe, e cila kremtohet në orën 16.00, çdo të dielë, në këtë Kishë, në lagjen e njohur Trastevere të kryeqytetit italian, pikërisht në sheshin “San Giovanni della Malva”, me të njëjtin emër me atë të vendit të kultit të emigrantëve shqiptarë. Pasditja do të nderohet nga të ftuar, që vijnë enkas nga Shqipëria, si aktori i njohur i teatrit dhe i filmit, Mirush Kabashi, i cili do të lexojë pjesë të fjalimeve të Papës Françesku në Tiranë, gjatë atij 21 shtatori të paharruar të vitit të kaluar, pastaj do të interpretojë me art edhe lutjet e Nënë Terezës. Do të shoqërojë me violinë, Tonin Xhanxhafili. Relacionet e rastit do t’i mbajnë i ngarkuari me punë i ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, shkrimtari Visar Zhiti dhe gazetarja e Radio Vatikanit, Klaudia Bumçi, e cila ndoqi Papën Françesku gjatë vizitës së tij në Tiranë.








All the contents on this site are copyrighted ©.