2015-10-21 11:46:00

Zoja që zgjidh nyjet dhe familja


Në vijim të emisionit të 18-të të rubrikës “Zoja që zgjidh nyjet”, në të cilin ndoqëm dëshminë e një ekzorçisti, sot do të flasim për lidhjen e ngushtë të Zojës me familjen.

Devocioni ndaj Zojës me këtë titull, lidhet ngushtë me martesën e  familjen. Virgjëra Mari deshi ta tregonte, që në zanafillë, afërsinë dhe frytin e ndërmjetësimit të saj pikërisht për të shpëtuar lidhjen e pazgjidhshme ndërmjet dy bashkëshortëve.

Prej këndej njerëzit i luten Zojës që zgjidh nyjet më shumë për zgjidhjen e problemeve familjare: për përfundimin e krizave, që shqetësojnë çiftin, fundin e keqkuptimeve, pabesitë, ndarjen e burrit nga gruaja, problemet e të gjitha tipeve me fëmijët, sherret ndërmjet vëllezërve, sëmundjet, moskuptimet në punë, dhunën në familje, sëmundjet e situata të tjera të vështira, që e bëjnë jetën lëmsh tejet të ngatërruar shqetësimesh të përditshme.

Virgjëra Mari, fat i Jozefit e Nënë e Jezusit, i njeh mirë problemet dhe telashet e familjes. Asaj duhet t’i lutemi për të fituar hirin e virtyteve të nevojshme, që i ndihmojnë familjet të ecin mbi gjurmët e Familjes Shenjte të Nazaretit, në gjirin e së cilës Jezusi gjeti strehën e sigurt e mikpritëse.

Në Ungjillin e Gjonit (cfr Gjn 2,1-11), Maria i kërkon Jezusit të ndërmjetësojë pikërisht në martesë. Në Kanë të Galilesë, gjatë gostisë së dasmës, vera, simbol i gëzimit e i haresë, mbaroi. Maria, një të marrë lajmin, iu drejtua menjëherë Jezusit e iu lut plot dashuri, ashtu si di të lutet nëna: “Nuk kanë më verë!”. Ndërmjetësimi i Marisë është i vyer në çdo martesë; Asaj, Mbretëreshës së familjes, i drejtohemi në çastin e nevojës, kur na mungon vera e gëzimit, që ta thërrasë Jezusin e ta lusë t’ua tregojë të gjithëve lumninë e tij.

Martesa e krishterë, shenjë e dukshme dhe e frytshme e Besës së lidhur ndërmjet Krishtit e njerëzve, kërcënohet gjithnjë më shpesh në shoqërinë e sotme. Sulmohet nga një mori rreziqesh të brendshme e të jashtme. Prej këndej, përballë plagëve e përçarjeve shkaktuar nga mëkati, është i domosdoshëm hiri i Hyjit, me ndihmën e Marisë Ndërmjetësuese, pa të cilën martesa “bashkësi intime jete e dashurie” (Familiaris Consortio, n.50), është në rrezik të shkatërrohet (cfr KKK 160-1608).








All the contents on this site are copyrighted ©.