2015-10-21 14:47:00

Sinodi/Relacionet e Grupeve të vogla për pjesën e tretë të Instrumentum Laboris


Në Sinodin e Ipeshkvijve për Familjen, sot punohej për përgatitjen e Relacionit përfundimtar, që do të paraqitet e do të votohet të shtunën. Më pas, do të jetë Papa Françesku ai, që do të vendosë nëse do ta publikojë apo jo. Ndërkaq, dje pasdite, 13 Grupet e vogla paraqitën relacionet e tyre për pjesën e tretë të “Instrumentum Laboris”, kushtuar temës “Misioni i familjes sot”.

Sinodi është akoma në udhë

Ka akoma shumë udhë për të bërë e rrugët janë të shumta: kështu mund të përmblidhet raundi i tretë i relacioneve të Grupeve gjuhësore. Në veçanti, dy janë temat më të debatuara, rreth të cilave ka mendime të ndryshme: nga njëra anë, çështja e të divorcuarve të rimartuar, nga ana tjetër, çështja e njerëzve me prirje homoseksuale.

Të divorcuarit e rimartuar

Në rastin e parë, etërit sinodalë janë të gjithë një mendje për t’i shoqëruar shpirtërisht e konkretisht familjet e divorcuara, sipas “pedagogjisë së mëshirës”, e cila duhet të shmangë sjellje sektare, por edhe të respektojë doktrinën e Kishës. Megjithatë, mbeten të shtruara për zgjidhje rrugët praktike për realizimin e këtij shoqërimi: dikush sugjeron analizën e rasteve nën përgjegjësinë e ipeshkvit, ose të Konferencës Ipeshkvnore vendase; të tjerë theksojnë se çështja është doktrinore, prandaj, për të, duhet të vendosë një Koncil e jo një Sinod; dikush tjetër hamendëson një Forum të brendshëm të veçantë; të tjerë akoma e shohin reformimin e procesit të pavlefshmërisë së martesës si shembull afërsie me njerëzit, pa hequr dorë nga doktrina.

Urohet ndërhyrja e Papës

Propozime të ndryshme për të divorcuarit e rimartuar vënë në dukje bashkimin shpirtëror të çiftit dhe janë për “rrugën pendestare”, që disa parapëlqejnë ta quajnë “rrugë pajtimi”, ose “itinerar mëshire”. Të vetëdijshëm se problemi është mjaft i ndërlikuar, etërit sinodalë urojnë ndërhyrjen e Papës për krijimin e një Komisioni të veçantë, i cili duhet të thellohet më tej në këtë temë, për t’u dhënë një dorë familjeve të prekura nga divorci.

Njerëzit me prirje homoseksuale

Edhe përsa i përket temës së njerëzve me prirje homoseksuale, qëndrimet janë të ndryshme. Mbetet gatishmëria e të gjithëve dhe nevoja për t’i trajtuar këta njerëz pa i diskriminuar, por disa grupe nënvizojnë se ky argument nuk hyn në tematikën e Sinodit aktual, prandaj duhet shqyrtuar në një takim të veçantë sinodal. Të gjitha relacionet mbajnë ndërkaq, të njëjtin qëndrim negativ, përsa i përket adoptimit të fëmijëve nga ana e çifteve homoseksuale dhe barazimit të martesës me bashkimet gay.

Familja, subjekt ungjillëzimi

 Këto janë tematikat më të diskutuara edhe në shtyp, por siç theksoi mëse një ipeshkëv, Sinodi nuk sillet vetëm rreth këtyre dy çështjeve. Janë të shumta temat, për të cilat Rrethet e vogla shprehen në të njëjtën mënyrë. Për shembull, aftësia e familjeve për të qenë subjekt, e jo vetëm objekt i ungjillëzimit, prej nga rrjedh nevoja që Kisha ta promovojë e ta mbështesë më shumë këtë përmasë. Pastaj, tema e përgatitjes për martesë: të gjitha relacionet theksojnë nevojën e një rruge formuese më të kujdesshme, të përqendruar në Fjalën e Zotit e të ndarë në tri faza: larg martesës, më afër saj e menjëherë pranë datës së caktuar.

Kisha ta risojë gjuhën

Pika tjetër, që vihet në dukje nga shumica e relacioneve, është ajo e gjuhës: Kisha duhet ta ndryshojë atë, nënvizojnë Grupet e vogla, duhet ta shndërrojë nga statike në dinamike, për t’i bërë më të kuptueshme mësimet e saj, pa i shpërfytyruar. Vetëm kështu mund të hapë një dialog me familjet. Për shembull: të mos flitet më për “përjashtim” të të divorcuarve të rimartuar nga Sakramenti i Kungimit, por për “abstenim” (heqje dorë). Më tej: 13 relacionet nënvizojnë rëndësinë e vënies në dukje të bukurisë e të gëzimit të seksualitetit e të gjithçkaje ka të bëjë me trupin në jetën bashkëshortore, ashtu siç na kujton Enciklika “Humanae Vitae” e Papës Pali VI. Theksohet nevoja për t’u thelluar në temën e atësisë e të amësisë së përgjegjshme dhe në atë të edukimit të fëmijëve.

Martesat e përziera

Në shumë relacione flitet për adoptimet e fëmijëve dhe sugjerohet të vlerësohet e t’i jepet më shumë rëndësi mbrojtjes së tyre. Gjithashtu, Grupe të ndryshme ndalen në çështjen e martesave të përziera, duke kërkuar të vihen në dukje aspektet pozitive të tyre, si dialogu ndërfetar. Të tjerë urojnë kujdes më të madh për tematikat familjare, që lidhen me dramën e sëmundjes e të vdekjes. Përsa u përket çifteve, që bashkëjetojnë, ose janë të martuara vetëm në gjendjen civile, etërit sinodalë sugjerojnë të vlerësohen aspektet pozitive, që mund të çojnë drejt martesës sakramentore, pa harruar të përsërisin se janë situata të parregullta.

Kujdesi ndaj baballarëve të divorcuar

Nga Grupet gjuhësore, edhe disa propozime të veçanta, si: të tregohet më tepër kujdes për baballarët e ndarë, ose të divorcuar, shpesh pengje të varfërisë; të vlerësohet guximi i grave, viktima të dhunës, që vendosin t’i nxjerrin në dritë bijtë e tyre, pavarësisht nga paragjykimet shoqërore; t’u jepet zë atyre, që bien pre e incestit ose e trafikut të qënieve njerëzore; të mos harrohen familjet e refugjatëve, të emigrantëve, ose të atyre, që jetojnë në luftë e konflikt.

Instrumentum Laboris ka nevojë të riorganizohet

Së fundi, Grupet e vogla e konsiderojnë pjesën e tretë të “Instrumentum Laboris” josistematike, duke kërkuar pjesërisht, riorganizimin e dokumentit dhe, pjesërisht, rishkrimin e tij për Relacionin përfundimtar, që do t’i dorëzohet Papës.








All the contents on this site are copyrighted ©.