2015-10-20 12:03:00

Papa: Zoti nuk rri i qetë, del të na kërkojë e na do pa masë


Zoti ua jep gjithmonë me bujari hiret njerëzve, të cilët, nga ana tjetër, e kanë zakon t’i masin gjërat, prandaj kuptimi i begatisë së Dashurisë Hyjnore është gjithnjë fryt i Hirit. Ky qe thelbi i homelisë së Papës Françesku, në meshën e sotme të mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës.

Njeriu nuk e kupton dashurinë e Zotit

Dashuria e Zotit për njeriun, nënvizoi Ati i Shenjtë, është kaq bujare, sa njeriu nuk arrin ta kuptojë, tepër i mësuar ta japë me masë gjithçka zotëron. Papa Françesku e interpretoi, nën këtë këndvështrim, Leximin e sotëm, marrë nga shën Pali Apostull. Shëlbimi, që solli Krishti, e tregon qartë këtë bujari të Hyjit. E shëlbimi, shpjegoi Papa, “është miqësia ndërmjet nesh e Atij të Lumit”:

“Si e jep Zoti, në këtë rast, miqësinë, shpëtimin, që është krejtësisht i yni? Jep ashtu siç na thotë se do të na japë, kur bëjmë një vepër të mirë: do të na e japë me masë të madhe, të ngjeshur, mbushur plot, aq sa derdhet… Por kjo na bën të mendojmë për begatinë, deri në atë pikë, sa shën Pali thotë: ‘Kur u shumëzua mëkati, shumë më i begatshëm u bë hiri’ (Rm 5,20). Begati gjithandej. E kjo është dashuria e Zotit: pa masë. Gjithë vetveten”.

Zot, që del

Hyji është si ai babai i shembëlltyrës ungjillore, që çdo ditë, shikon horizontin se mos kthehet i biri. “Zemra e Zotit – pohoi Françesku – nuk është e mbyllur: është gjithnjë e hapur. E kur ne arrijmë, na përqafon e na puth si birin e shembëlltyrës: Zoti bën festë”:

“Hyji nuk është shpirtvogël: Zoti nuk e njeh meskinitetin. Ai jep gjithçka. Zoti nuk ndalet: sheh e pret që ne të kthehemi. Hyji është Zot, që del: del për të kërkuar, për të kërkuar secilin prej nesh. E kjo është e vërtetë. Çdo ditë na kërkon… po na kërkon.  Ashtu siç ka bërë edhe më parë, ashtu siç na ka thënë në shembëlltyrën e deles së humbur, ose në atë të monedhës së humbur: kërkon. Gjithnjë është kështu”.

Përqafim i pamatë

Në Qiell, theksoi Papa, bëhet festë më shumë për një mëkatar të vetëm, që kthehet në rrugën e Zotit, se sa për njëqind vetë, që mbeten të drejtë. Nuk është e lehtë të kuptohet kjo me kriteret njerëzore të kufizuara. Dashuria e Hyjit kuptohet përmes Hirit Hyjnor. Ati i Shenjtë dha shembullin e një murgeshe 84-vjeçare, në dioqezën e tij, në Argjentinë, që vazhdonte të përshkonte pavionet e spitalit, gjithnjë e qeshur, gjithnjë, duke u folur të sëmurëve për dashurinë e Zotit. Ajo, nënvizoi Papa, kishte marrë si dhuratë ta kuptonte këtë mister, këtë begati të dashurisë së Zotit, që të tjerëve u shpëton nga dora:

“Është e vërtetë, ne e kemi gjithmonë zakon t’i masim situatat e gjërat me masën tonë: e metri ynë është i shkurtër. Prandaj, do të ishte mirë t’i kërkonim Shpirtit Shenjt hirin, t’i lutemi Shpirtit Shenjt të na japë hirin, që të afrohemi, sikur edhe pak, për ta kuptuar këtë dashuri e për të dëshiruar të përqafohemi e të puthemi me atë masë pa kufi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.