2015-10-20 12:29:00

Papa Françesku do të presë në audiencë popullin cigan


Të hënën, më 26 tetor, Papa Françesku do të takojë, në audiencë të veçantë në Sallën Pali VI në Vatikan, mëse 5 mijë ciganë nga e gjithë Evropa, nga Amerika e nga Azia. Takimi zhvillohet në kuadrin e “Shtegtimit Botëror të popullit cigan”, organizuar nga 23 deri më 26 tetor, nga Këshilli Papnor i Baritorisë për Emigrantët dhe Endacakët, me rastin e 50-vjetorit të vizitës historike të Papës Pali VI në kampin e ciganëve në Pomezia të Italisë, më 26 shtator 1965.

 Ngjarja, shpjegon Dikasteri i Vatikanit për Emigrantët, “dëshiron t’i kujtojë vetë popullit cigan, por edhe gjithë bashkësisë, se Kisha i ka dyert e hapura për ata, që jetojnë të mënjanuar nga shoqëria, ashtu siç tregoi edhe 50 vjet më parë Papa Montini. Ngjarja mund të kthehet në një ‘takim kulturash’, rast për ta njohur opinionin publik me historinë dhe cilësitë e ciganëve, shpesh, viktima të paragjykimeve dhe të urrejtjes”.

Pjesëmarrësit në shtegtim mbërrijnë në Romë më 23 tetor. Paraditen e së shtunës, 24 tetor, do të kenë mundësi të vizitojnë qytetin e, në veçanti, Katakombet e Shën Kalistit, të Shën Sebastianit dhe të Shën Domitilës. Në orën 18.30, në zonën përreth Koloseumit, kremtimi i Udhës së Kryqit, kryesuar nga kardinali Agostino Vallini, vikar i përgjithshëm i Papës për dioqezën e Romës.

 Të dielën, më 25 tetor, në orën 12.00, kreu i dikasterit vatikanas për emigrantët dhe endacakët, kardinali Antonio Maria Vegliò, do të kremtojë meshën në shenjtëroren romake të Dashurisë Hyjnore. Dita përfundon në Bazilikën e Shën Marisë në Trastevere, me një koncert muzike cigane.

Të hënën paradite, më 26 tetor, në Sallën Pali VI, siç e thamë, ciganët do të priten nga Papa Françesku e më pas, do t’u ofrohet dreka, të cilën do ta marrin me vete. Shtegtimi përfundon me vizitën private të pjesëmarrësve në Bazilikën e Shën Pjetrit.








All the contents on this site are copyrighted ©.