2015-10-20 15:54:00

Në Sinod, përfunduan punimet e Grupeve të vogla


Në Sinod mbi Familjen i cili vijon deri të dielën në Vatikan, sot përfunduan punimet e Grupeve të vogla të Ipeshkvijve, të cilët u mblodhën për të diskutuar mbi pjesën e tretë të dokumentit bazë “Instrumentum Laboris”, kushtuar “Misionit të familjes sot”. Pasdite, u mbajtën kongregacionet e përgjithshme: etërit sinodalë u takuan në sallën e Sinodit për leximin e relacioneve të 13 grupeve gjuhësore e dorëzimin e listës së fundit të mënyrave. Këndej, ditën e mërkurë, 21 tetor, mblidhet komisioni për përpilimin e relacionit përfundimtar të Sinodit.

Ndërkaq sot, në konferencën e zakonshme për shtyp, që mbahet çdo ditë në orën 13.00, për të sqaruar argumentet e diskutuara në Sinod, morën pjesë tre kardinaj: spanjolli Lluis Martinez Sistach, kryeipeshkëv i Barcelonës; jugafrikani Wilfrid Fox Napier, kryeipeshkëv i Durbanit dhe; meksikani Alberto Suàrez Inda, kryeipeshkëv i Morelias.

Të përgatitet personeli i Gjykatave kishtare

Familja, u tha, nuk është vetëm sfidë, por edhe mundësi për të qenë të lumtur. Në këtë kuadër, kardinali Martinez Sistach theksoi se përgatitja për martesë është themelore për të shmangur ndarjet e divorcet. Prelati u ndal në Motu Proprio-n e Papës Françesku për reformën e proceseve të pavlefshmërisë së martesës, duke nënvizuar se reforma është në harmoni me mëshirën e Kishës, por në dritën e pazgjidhshmërisë së lidhjes bashkëshortore. Kardinali bëri thirrje të bëhen falas proceset, megjithëse ka raste kur nuk mund të gjendet e vërteta objektive menjëherë, prandaj procesi nga i shkurtër bëhet i zakonshëm:

 “Jo në të gjitha Gjykatat kishtare dhe në dioqezat e botës ka njerëz të përgatitur si duhet” në këtë sektor, përfundoi kryeipeshkvi spanjoll, i cili mendon se kjo është sfidë e rëndësishme për të ardhmen.

Kard. Suàrez Inda: institucionet të mbrojnë familjen

Familja është baza e shoqërisë, është qeliza themelore e saj, tha kardinali Suàrez Inda, duke uruar që institucionet ta mbrojnë këtë bërthamë të domosdoshme. Ai u ndal në dramën e emigracionit, që u krijon shumë probleme familjeve, jo vetëm sepse i ndan dhe i çon anëtarët larg njëri-tjetrit, por edhe për aspektin normativ, i cili, nganjëherë, pengon bashkimin familjar. Prelati falenderoi Kishën e SHBA-ve për mikpritjen, që u ofron emigrantëve meksikanë.

Ipeshkvijtë, dëshmitarë të mëshirës dhe të dhembshurisë së Kishës

Plagë tjetër e familjeve, nënvizoi kryeipeshkvi meksikan, është ajo e kriminalitetit të organizuar, si edhe globalizimi, që shpesh, i lë të rinjtë vetëm në procesin edukativ. Përsa u përket proceseve për pavlefshmërinë e martesës, kardinali Suàrez Inda pohoi: “Ne, ipeshkvijtë, kemi tani më shumë përgjegjësi. Papa na njeh si gjykatës të mëshirshëm në nivelin dioqezan, prandaj duhet të jemi dëshmitarë të një Kishe, që është Nënë e dhimbsur”.

Udhëtimi i Papës në Meksikë

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për udhëtimin e Papës Françesku në Meksikë, kardinali nënvizoi:

“Vizita e Papës, pa dyshim, është arsye për gëzim të pamasë”. Datat nuk janë caktuar akoma, por sigurisht do të jetë udhëtim i përqendruar në temat e pajtimit e të paqes. Natyrisht, vijoi prelati, Papa do të shkojë në Shenjtëroren e Guadalupes e ndoshta, do të ketë rast të vizitojë burgjet e të takohet me të rinjtë, për t’i dhënë shpresë vendit.

Kard. Napier: ipeshkvijtë afrikanë sjellin optimizëm në Sinod

 Konferenca për shtyp i dha më pas hapësirë Afrikës, me reflektimin e kardinalit Napier:

 “Ipeshkvijtë afrikanë sollën një puhi optimizmi në Sinod”, sipas shembullit të Papës Françesku, nënvizoi prelati, i cili foli në vijim për laikët, sidomos për familjet e lumtura, të cilat i tregojnë Sinodit rrugën. Kardinali theksoi se bashkëshortët duhen shoqëruar si para, ashtu edhe pas martesës, sepse Kisha reformohet pikërisht duke reformuar familjen, e cila është baza e saj.

Punohet me kolegjialitet, për të mirën e Kishës

I pyetur nga gazetarët për letrën e disa kardinajve drejtuar Papës, kardinali Napier, një nga nënshkruesit, sqaroi se ajo ishte e rezervuar për Atin e Shenjtë, të cilit prelatët i flisnin me sinqeritet e përvuajtëri, ashtu siç i pati këshilluar. Gjithsesi, përfundoi kryeipeshkvi i Durbanit, duke punuar së bashku në Sinod, ne ipeshkvijtë gjetëm frymën e kolegjialitetit, gjithnjë, në përpjekjen për të bërë ç’është më e mirë për Kishën.








All the contents on this site are copyrighted ©.