2015-10-20 15:08:00

Hoxha kërkon Pagëzimin


“Vij nga një familje myslimane, im atë ishte hoxhë e mësues i Islamit. Një ditë u gjunjëzua para meje e më tha: ‘Dua të bëhem katolik’. Tani të gjithë familjarët e mi janë katolikë”.

Historinë e tregoi kryetari i Konferencës ipeshkvnore të Malawit, kryeipeshkvi i Blantyre, imzot Thomas Luke Msusa, gjatë transmetimit “Ditari i Papës Françesku”, në Tv 2000, këto ditë, kur ndodhet në Vatikan për të marrë pjesë në Sinodin e ipeshkvijve kushtuar familjes.

Msusa tregoi se u bë katolik në moshën 12 vjeçare. E dëbuan nga shtëpia  e mbeti në mes të katër udhëve. Atëherë një meshtar italian e një murgeshë sakramentine u kujdesën për të si ta kishin birin e tyre. E rritën, e edukuan, e shkolluan e ai një ditë vendosi të bëhej meshtar, edhe pa pëlqimin e të vetëve. Ndonëse me dhimbje në shpirt.

U bë, kështu, misionar monfortan e, pas tetë vjet meshtarie, Papa e shuguroi ipeshkëv. Pastaj e emëroi kryeipeshkëv e kryetar të ipeshkvijve të Malawit.

“Pak nga pak të gjithë pjesëtarët e familjes u kthyen në fenë katolike – vijoi të tregonte ipeshkvi. Mbeti vetëm im atë. Por edhe ai një ditë  vendosi të bëhej katolik. Kishte frikë se do të përfundonte në ferr, larg gjithë të vetëve. – Nuk do të shkosh në ferr, jo - e sigurova - mund të vijosh të besosh në Atë, që e besove gjithë jetën. Po ai ma ktheu: - Jo, dua të bëhem katolik, sepse e kam parë si jetojnë bashkë e si e ndihmojnë njëri-tjetrin në çdo çast të mirë e të vështirë.

M’u desh t’i bëja katekizëm mësuesit të Islamit e edhe ta pagëzoja. Tani quhet Abraham!








All the contents on this site are copyrighted ©.