2015-10-19 13:56:00

Papa: lidhja e tepruar me pasurinë ndan familjet e shkakton luftërat


Jezusi nuk e dënon pasurinë, por lidhjen e tepruar me pasurinë, që ndan familjet e shkakton luftërat: këtë theksoi sot Papa Françesku në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.

Feja nuk duhet bërë agjenci sigurimesh

“Dhënia pas pasurisë është idhujtari”. Papa Françesku kujton se nuk  mund t’u shërbehet dy zotërive”: o i shërbehet Zotit, o pasurisë. Jezusi nuk është kundër pasurive në vetvete, por na tërheq vëmendjen të mos e mbështesim sigurinë tonë mbi paranë, që mund ta bëjë fenë agjenci sigurimesh. Veç kësaj, dhënia pas parasë i përçan njerëzit. Na e tregon këtë Ungjilli, që flet për dy vëllezër, të cilët grinden për ndarjen e trashëgimit.

“Por, të mendojmë për ne, për sa e sa familje, që janë grindur, që vijojnë të grinden e të shamatohen, që nuk i japin as një tungjatëjeta njëri-tjetrit, për shkak të ndarjes së një trashëgimie. E ky është vetëm njëri nga rastet. Ka edhe më. Njeriu i dhënë pas parasë, nuk i jep aq rëndësi dashurisë për familjen, dashurisë për fëmijët, për vëllezërit, prindërit; jo, jo, rëndësi kanë vetëm paratë. E kjo është shkatërrimtare. Shkakton edhe luftërat, që po i shikojmë për ditë”.

Flitet për ‘ideale’, por pas çdo ideali fshihen paratë: paratë e trafikantëve të armëve, paratë e atyre, që përfitojnë nga lufta. E flitet për familje, por të gjithë ne e njohim të paktën një familje të ndarë për shkak të parasë.  Ndërsa Jezusi flet qartë: “Kini mendjen e rrini larg çdo lakmie: është e rrezikshme”. E kjo, sepse të jep një siguri, që nuk është aspak e vërtetë. E madje të shtyn edhe të lutesh – ti mund të lutesh, të shkosh në Kishë – por edhe ta kesh zemrën të lidhur ngushtë me paranë, e në fund të fundit, të përfundosh keq.

Sipërmarrësi i pasur, që nuk i ndan pasuritë me punëtorët e tij

Jezusi tregon shëmbëlltyrën e një njeriu të pasur, një sipërmarrësi “të mirë”, të cilit arat i kishin dhënë të korra të begata, duke e mbushur përplot me pasuri:

“… në vend që të mendojë: ‘Do t’i ndajë të gjitha me punëtorët  mi, me vartësit e mi, që edhe ata të kenë diçka më shumë për familjen e tyre’, aryeton me vete: ‘Si t’ia bëj, sepse nuk kam ku t’i vë gjithë këto drithra! Ah, po, tani e di si t’ia bëj: do t’i shkatërroj depot e mia e do të ndërtoj të tjera, shumë më të mëdha. Më të mëdha. Sepse do të kem gjithnjë më shumë. Etja për pasuri nuk shuhet kurrë. Kur ti e ke zemrën të lidhur me pasurinë – kur ke shumë - kërkon edhe më shumë. E paraja bëhet zot i njeriut, që e lidh zemrën me pasuritë”.

Jep lëmoshë gjëra të nevojshme, e  jep me dashuri

Udha e shëlbimit, pohon Papa, është ajo e Lumnive: “E para është varfëria e shpirit”, që do të thotë të mos jesh i dhënë pas pasurive, të cilat, nëse janë, janë për t’u shërbyer të tjerëve, për t’u ndarë me të tjerët, për t’u krijuar të gjithëve mundësinë të ecin përpara. E shenja se nuk jemi nën barrën e mëkatit të idhujtarisë, është dhënia e lëmoshës, e lëmoshës për nevojtarët, është  dhurimi i sendeve, që do të dëshironim t’i mbanim për vete, e jo vetëm i tepricave, hedhurinave, që nuk na dhembin fare, kur i dhurojmë. Kur japim lëmoshë, duhet të flijojmë diçka. Kjo është shenjë e mirë. Tregon se dashuria ndaj Zotit është më e madhe se lidhja me paranë. Tri janë pyetjet, që duhet t’i bëjmë vetes në këtë rast:

“Pyetja e parë: ‘A jap?’. E dyta: ‘Sa jap?’. E treta: ‘Si jap?’. Si jep Jezusi, me ledhatimin e dashurisë, apo si të isha duke paguar një taksë? Si jap?”. Por, o Atë, çfarë do të na thuash me këtë? ‘Kur ndihmon dikënd, a e shikon në sy? E prek me dorë? Është korpi i Krishtit, është yt vëlla, jote motër. E ti në këtë çast je si Ati, që nuk i lë pa gjë as zogjtë e Qiellit. Me sa dashuri jep Ati! T’i kërkojmë Zotit hirin të jemi të lirë nga kjo idhujtari, nga lidhja e ngushtë me pasuritë: hirin për ta shikuar atë, që është aq i pasur me bujari, me mëshirë; e hirin t’i ndihmojmë të tjerët me ushtrimin e  lëmoshës, ashtu si bën Ai vetë’. Por, o Atë Ai nuk flijon asgjë… ‘Jezu Krishti, duke qënë i njëgjëjtë me Hyjin, flijoi gjithçka, u ul, u asgjësua, derisa flijoi plotësisht edhe vetveten”.








All the contents on this site are copyrighted ©.