2015-10-18 00:30:00

Zoja që zgjidh nyjet: Virgjëra Mari e Papa Bergoglio


Në emisionin e 15-të të rubrikës “Zoja që zgjidh nyjet”, kujtuam fjalët e kardinalit Bergoglio shqiptuar me rastin e 15-vjetorit të fronëzimit të figures në shenjtërore. Sot, lidhjen e Virgjërës Mari me Papën Françesku.

Që kur Bergoglio u bë Papë me emrin Françesku, ky devocion, që u njoh falë tij, vijon të përhapet në mbarë botën. Sot nëntëditëshi është përkthyer në tetë gjuhë e është bërë pronë e besimtarëve në të gjitha kontinentet. Nuk dimë të jetë përkthyer edhe në shqip, ndërsa kujtojmë se do ta kemi në gjuhën tonë kur libri, mbi të cilin u mbështetëm për këtë rubrikë do të arrijë në faqet e fundit. E me të edhe muaji i Rruzares shenjte.

Rikthehemi tek lidhja e Marisë me Papën. Kjo lidhje doli fort në pah që në zgjedhjen e Françeskut. Aq sa ditën e parë të papnisë deshi të vizitojë menjëherë Bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe, ku nderohet figurja e mirënjohur Salus Populi Romani, për t’ia besuar Zotit misionin e tij. Kështu e nisi shërbimin papnor, duke e lënë gjithçka në dorë të Marisë, edhe nyjet më të shtrënguara, të vetat e të Kishës, ato që vetëm Ajo mund t’i zgjidhë e t’i lirojë. Bazilika e Shën Marisë së Madhe, kisha e parë kushtuar Nënës së Zotit në perëndimin e krishterë, u themelua në shekullin XV mbi kodrën e Eskuilinit, në vendin e mrekullisë të rënies së dëborës, më 5 gusht të vitit 358 (prej këndej, emri Santa Maria ad Nives). Shën Maria e dëborës është edhe pajtore e Buenos Aires e pikërisht para një kopjeje të Zojës së dëborës Wolfgang Langenmantel lutej me devocion të thellë në manastirin e Ingolstadit, për të shpëtuar martesën e tij në krizë. E edhe ati jezuit, Jakob Rem, gjatë qëndrimit të tij në Romë, pati devocion të thellë për Zojën e Dëborës në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe! Devocion që vijon…








All the contents on this site are copyrighted ©.