2015-10-18 14:00:00

Udhërrëfyesi i Jubileut


Në Pallatin Apostolik në Lateran të Romës vikari i dioqezës, kardinali Agostino Vallini, paraqiti Udhërrëfyesin e Jubileut, përgatitur nga Komiteti i dioqezës së Romës. Të pranishëm edhe drejtori i Karitasit romak, imzot Enrico Feroci dhe zv.presidenti i Veprës Romake të Shtegtimeve, imzot Liberio Andreatta. Titulli i këtij doracaku, ku në 100 faqe, përshkruhen të gjitha ngjarjet, që do të zhvillohen në Romë, duke filluar nga 8 dhjetori, është “Të Mëshirshëm si Ati Qiellor. Jubileu i Mëshirës në Kishën e Romës”.

 Aty mund të gjenden informacione për Portën Shenjte të Mëshirës në Bujtinën don Luigji Di Liegro dhe në Mensën Shën Gjon Pali II në rrugën Marsala, ku Papa Françesku do të shkojë më 18 dhjetor, në orën 16.30; njoftime për Portën Shenjte të shenjtërores së Dashurisë Hyjnore, që do të hapet më 6 janar; flitet për “Katekizmin e mëshirës”, që do t’i përgatisë famullitë për shtegtimin drejt Portës Shenjte dhe për “Veprat e mëshirës”, që i ndihmojnë besimtarët ta jetojnë Jubileun duke u kujdesur për të varfërit. Duke shfletuar faqet e doracakut, mëson edhe për kremtimin jubilar të politikanëve, më 22 qershor 2016, në festën liturgjike të shën Tomas Morit, Pajtor i politikanëve, që nuk e shiti shpirtin e vet për interes, por edhe për nisma të tjera si krijimi i “Fondit për familjen”, destinuar për familjet në vështirësi. E pastaj, itineraret jubilare të propozuara nga Vepra Romake e Shtegtimeve, për të përfunduar me kalendarin e të gjitha ngjarjeve, ku do të jetë i pranishëm Papa Françesku.








All the contents on this site are copyrighted ©.