2015-10-18 14:04:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: jo urrejtjes e hakmarrjes në Tokën Shenjte


Gjatë  lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, në përfundim të Meshës, Papa Françesku bëri përsëri thirrje për Tokën Shenjte. Në Tokën Shenjte vijon e ashtuquajtura Intifadah e thikave. Dje u vranë tre palestinezë në moshë krejt të re, ndërmjet të cilëve, dhe një vajzë, që kishin ngacmuar me armë të ftohtë izraelitët. Por burimet palestineze akuzojnë ushtrinë izraelite e cila, sipas tyre, veproi së paku në dy raste  në mënyrë absolutisht të tepruar.

Të dëgjojmë fjalët e Papës:

“Ndjek me shumë shqetësim situatën e tensionit të fortë e të dhunës, që trondit Tokën Shenjte. Në këtë çast ndjehet fort nevoja për shumë guxim e shumë forcë shpirtërore për t’i thënë ‘jo’ urrejtjes e hakmarrjes dhe për të bërë gjeste paqeje. Të lutemi për këtë, që Zoti t’ua forcojë të gjithëve, qeveritarë e qytetarë, guximin t’i kundërvihen dhunës e të bëjnë hapa konkrete për uljen e tensionit. Në rrethanat e sotme të Lindjes së Mesme është më se vendimtare të  rikthehet paqja në Tokën Shenjte: këtë e kërkon Zoti dhe e mira e njerëzimit”.

Shkëndija, që nxiti fillimin e dhunës, është çështja e Sheshit të Xhamive, vendi i tretë i shenjtë i Islamit, që shtrihet mbi Malin e Tempullit, zona më e shenjtë e hebraizmit, poshtë së cilës, Muri i lotëve. Myslimanët akuzojnë autoritetet se duan ta modifikojnë ‘status quo’, duke u krijuar mundësinë hebrenjve të hyjnë mbi Shesh, pa të drejtë për t’u lutur; Franca propozon dërgimin e vëzhguesve ndërkombëtarë në vend; nisma refuzohet nga qeveria izraelite.

Pas thirrjes, Papa përshëndeti besimtarët, ardhur për të nderuar shenjtorët e rinj:

“Në përfundim të këtij kremtimi dëshiroj t’ju përshëndes ju të gjithëve, që erdhët për t’i nderuar Shenjtorët e rinj, në mënyrë të veçantë, Delegacionet zyrtare të Italisë, Spanjës e Francës. Përshëndes besimtarët e Lodit e të Kremonës, si dhe Bijat e Oratorit. Shembulli i Shën Vincenzo Grossi-t i ndihmoftë të gjithë ata, që përpiqen për edukimin e krishterë të breznive të reja. Përshëndes shtegtarët e ardhur nga Spanja, posaçërisht nga Sevilja dhe Motrat e Shoqërisë së Kryqit. Dëshmia e Shën Marisë së Zojës së Papërlyer na ndihmoftë ta jetojmë solidaritetin dhe afërsinë me ata, që janë më nevojtarë. Përshëndes shtegtarët e ardhur nga Franca, posaçërisht nga Bayeux, Lisieux e Sèes: ndërmjetësimit të shenjtorëve bashkëshortë Ludovik Martin e Maria Azelia Guèrin ua besojmë gëzimet, shpresat e vështirësitë e familjeve franceze e të mbarë botës. Falënderoj kardinajtë, ipeshkvijtë, priftërinjtë dhe rregulltarët, ashtu si edhe familjet, grupet famullitare e shoqatat”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.