2015-10-18 00:30:00

Papa Françesku shpall katër shenjtorë të rinj


Sot paradite, Papa Françesku kremtoi meshën për kanonizimin e tre të Lumëve, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Familja do të ketë tashmë një fanar në shoqërinë e shenjtorëve, sepse në nderimet e elterit, u lartuan sot Ludovik Martin dhe Maria Azelia Guérin, prindërit e Shën Terezës së Krishtit Fëmijë apo Shën Terezës së Lisieux. Është çifti i parë, që shpallet shenjt nga Kisha, në epokën moderne. Siç thekson postulatori i çështjes së shenjtërimit, atë Romano Gambalunga, karmelitan i zbathur, “është çifti i parë që shpallet shenjt si i tillë e kjo është shenjë e bukur, sidomos për familjet e krishtera, që shpesh lihen pa mbështetje e u duhet të shkojnë kundër rrymës, veçanërisht në botën perëndimore, për të jetuar e për t’i edukuar fëmijët me të vërtetën e Krijimit, me atë dashuri, që Zoti na e ka dhuruar në Krishtin”.

 Ludovik dhe Maria Azelia Martin u martuan më 13 korrik 1858 në Notre Dame d’Alençon. Lindën nëntë fëmijë, prej të cilëve katër ndërruan jetë në moshë të njomë. Ndër fëmijët e mbijetuar edhe shën Tereza apo Terezina, siç e quajnë me përkëdheli, shenjten e dijetaren e Kishës, mësuese e përshpirtërisë. Në shtëpinë Martin provohet lumturia e bashkimit familjar, por edhe dhimbja për humbjen e fëmijëve e për vdekjen e Azelies në vitin 1877, kur shën Tereza ishte vetëm katër vjeç. Ludoviku do ta jetojë me nder kohën e vejnisë e sëmundjen, duke ndjekur gjithnjë moton e familjes “Zoti, i pari që duhet shërbyer”.

 Pas shërimit të Pietro Schilirò, fëmijës, që lindi në Monza të Italisë me një problem të rëndë në mushkëri, - mrekullia e parë që i çoi bashkëshortët Martin drejt lumnimit – Ludoviku dhe Maria Azelia zgjodhën sërish një të sapolindur për mrekullinë e dytë, duke parapëlqyer gjithnjë një familje të brengosur për sëmundjen e vajzës. Carmen nga Valencia e Spanjës kishte lindur para kohe pas një shtatzanie të vështirë, viktimë e shumë patologjive, ndër të cilat një hemorragji cerebrale dhe një septicemi e dyfishtë (helmim gjaku nga mikrobet).

Dy shenjtorët e tjerë, që u lartuan sot në nderimet e elterit, janë Vincenzo Grossi, meshtar dioqezan e themelues i Institutit të Bijave të Oratoriumit; si edhe Maria e Zojës së Papërlyer, rregulltare, Eprore e Përgjithshme e Kongregatës së Motrave të Shoqërisë së Kryqit. Papa e lajmëroi shenjtërimin e tyre në koncistorin e 27 qershorit të kaluar.

Don Vincenzo Grossi ishte meshtar në dioqezën e Kremonës. Bir mullixhiu, priti gjatë para se të mund të hynte në seminar, sepse duhej të ndihmonte familjen. U shugurua meshtar më 22 maj 1869. Qe famullitar në Regona të Pizzighettone-s, në Itali e, nga viti 1883 deri në vdekje, në Vicobellignano. Duke vërejtur nevojën për edukimin e brezit të ri, sidomos të vajzave, me ndihmën e disa grave, që i ndiqte si atë shpirtëror, themeloi Institutin e Bijave të Oratoriumit, nën mbrojtjen e Shën Filip Nerit. Udhëhoqi me butësi e bujari si murgeshat, ashtu edhe famullinë. Vdiq për shkak të një peritoniti më 7 nëntor 1917.

Ndërsa, Maria e Zojës së Papërlyer Salvat Romero është një nga shenjtet më afër kohës sonë, që u lartua në nderimet e elterit, mjaft shpejt pas vdekjes në vitin 1998 (primatin e mban Gjon Pali II, i cili ndërroi jetë në vitin 2005). Natyrisht, nëse shkojmë mbrapa në histori mund të gjejmë edhe shenjtorë të tjerë, shpallur të tillë në kohë edhe më të shkurtra (si shna’Ndou i Padovës), por atëherë procedura e lumnimit dhe e shenjtërimit nuk ishte kjo e sotmja.

Maria Isabella Salvat Romero lindi në vitin 1926 në Madrid, në një familje të pasur. 18 vjeçare, hyri murgeshë në Motrat e Shoqërisë së Kryqit, të cilat u shërbenin të varfërve dhe të sëmurëve të moshuar, por merreshin edhe me edukimin e vajzave të reja. U zgjodh eprore e përgjithshme e tyre në vitin 1977 e qëndroi në krye të Kongregatës për 22 vjet. Dallohej si formuese e simotrave, por kujdesi i saj kryesor ishin bijtë e të varfërve dhe të sëmurët. Lartimi i saj në elter u kërkua me thirrjen “shenjte menjëherë”, njëlloj si për Gjon Palin II e për Nënë Terezën.








All the contents on this site are copyrighted ©.