2015-10-18 04:30:00

Dita Misionare Botërore me temë “Në anën e të varfërve”


Sot më 18 tetor, kremtohet në të gjitha komunitet e krishtera të botës Dita e 89-të Misionare Botërore me temë “Në anën e të varfërve”, me zellin për kumtimin që Krishti Gjallë na ka dorëzuar si mision! Vetë Krishti u vendos pranë të gjithë njerëzve, duke ecur me ata që takonte, të varfër, të sëmurë në trup e në shpirt, burra e gra në kërkim të kuptimit të jetës e në kërkim të Hyjit.

Çdonjërit prej tyre Jezusi u ka ofruar vështrimin e Tij të Mëshirshëm, vështrim ky që mund të shërojë çdo jetë njerëzore. Në çdo vit liturgjik ne kremtojmë “Misterin e Krishtit”, jo një “sekret për të zbuluar”, por një dhuratë për ta njohur e thelluar përherë e më mirë, që është lajmi i Mirë i Hyjit që është At, i cili aq shumë e do njerëzimin sa që ia ofron të gjithëve jetën dhe shpëtimin, në të Birin. Ta pranojmë sot ftesën për të filluar vitin baritor të Kishës me muajin kushtuar misioneve, duke u impenjuar përherë më shumë me bindjen për të qenë “popull i Mëshirës”, “popull i Përdëllimit”, çka do të thotë të jemi burra e gra që bëhen shoqëruesë e shokë udhe me çdo vëlla e motër, të varfër e nevojtarë si ata. Vetëm përmes Mëshirës apo Përdëllimit mund të mishërojmë “stilin e pranimit” ndaj çdo personi, e jo më atë të përjashtimit të tjetrit, kështu mund të bëhemi ne vetë ‘histori e shpëtimit’ për këdo që takojmë! Të jetosh “në anën e të varfërve” nuk do të jetë vetëm një përpjekje e vullnetit tonë njerëzor, por pasojë e natyrshme e zemrës së konvertuar nga dashuria, të një zemre që ka ‘njohur’ e përjetuar se Krishti, i Gjalli, është “në anën’ e çdonjërit prej nesh!

Kujtojmë se Mesazhi i Papës Françesku për këtë ditë u bë i njohur në Rrëshajët e këtij viti. Ati i Shenjtë Bergoglio deshi, që atëherë, t’i këshillojë të gjithë të krishterët të mos lejojnë “t’u vjedhin misionin”, prandaj u kërkoi të “shkojnë e të shpallin Krishtin dhe Ungjillin e Tij” e jo projekte e plane vetëm baritore, ose vetëm humanitare.

Papa Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot të nëntë qershorit 2013, mes tjerash tha se Zemra e Krishtit nuk është simbol i trilluar, dashuria e Jezusit është jetë, që të ngjall nga të vdekurit, simbolizon vetë Mëshirën e Hyjit.

Zemra e Shenjtnueshme e Jezu Krishtit është shprehja më e lartë njerëzore e dashurisë hyjnore, vërejti Papa Bergoglio, duke kujtuar se festa e Zemrës së Krishtit, kremtuar në Kishë në muajin qershor, i jep tonin të gjitha ditëve të muajit qershor e të gjitha ditëve të jetës të të krishterëve. Përshpirtëria popullore, shtoi Ati i Shenjtë Françesku, i vlerëson shumë simbolet; e Zemra e Jezu Krishtit simbolizon vetë Mëshirën e Hyjit:“Por nuk është ndonjë simbol i trilluar, është i vërtetë, përfaqëson qendrën, burimin prej nga gurron shëlbimi për mbarë njerëzimin”.

Fragmente të ndryshme ungjillore nënvizojnë se nga Zemra e Jezusit buron falja e jeta, për të gjithë njerëzit: “Por mëshira e Jezusit nuk është vetëm ndjenjë; është edhe forcë; forcë, që jep jetë, që e ringjall njeriun”. E dokumenton këtë Shën Luka Ungjilltar, në episodin e vejushës së Nainit, fshat i Galilesë, ku Jezusi me dishepujt e tij arrin pikërisht në çastin kur kremtohet një funeral. Ka vdekur biri i vetëm i një vejushe. Nëna e përcjell në varr shpresëhumbur, e mbytur në lot. E pikërisht mbi sytë e saj të përlotur ngulen sytë e Zotit. Duke e parë, Krishti ka mëshirë për të: “Kjo mëshirë është dashuria e Zotit për njeriun, është sjellja e Zotit, në takim me mjerimin njerëzor, me skamin tonë, vuajtjen tonë, ankthin e zemrës sonë”.

Vetë termi biblik ‘mëshirë’, shpjegoi Papa Françesku, të kujton dashurinë e thellë amtare, dashuri e pashoqe, që vetëm zemra e nënës e ndjen për krijesat e mishit e të gjakut të vet. Kështu na do Zoti, thotë Shkrimi Shenjt: “E cili është fryti i kësaj dashurie? Është jeta!”.
Mëshira e Zotit i jep njeriut jetë: “Zoti na shikon gjithnjë me mëshirë, na pret me mëshirë. Nuk duhet të kemi frikë t’i afrohemi Atij! Ka një zemër plot me mëshirë. Nëse ia zbulojmë plagët e shpirtit tonë, mëkatet tona, Ai na fal, gjithnjë. Është mëshirë e pastër”.








All the contents on this site are copyrighted ©.