2015-10-17 17:59:00

Sinodi/Françesku: Kisha sinodale është si flamur që shpaloset mbi Kombe


“Kisha dhe Sinodi janë sinonime”, sepse “Kisha nuk është tjetër, veçse ecja së bashku e popullit të Zotit”. Është një nga fragmentet e forta të fjalimit të apasionuar të PapësFrançesku  në Sallën Pali VI, me rastin e 50-vjetorit të themelimit të Sinodit të Ipeshkvijve nga Papa Montini. Në këtë diskutim, nga më të rëndësishmit e papnisë, Françesku nënvizoi se "në një Kishë sinodale, edhe ushtrimi i parisë së Papës mund të marrë më shumë dritë”. Në vijim, duke kujtuar Evangelii gaudium, uroi “decentralizmin e shëndetshëm, meqë “Papa nuk duhet t’i zëvendësojë episkopatet lokale në e të gjitha problematikat, që kanë ndër trojet e tyre”.

“Të ecim së bashku!”. Papa Françesku e shtjelloi fjalën e tij, duke u përqendruar tek  mënyra si e kupton ipeshkvi i Romës  Kishën në shtegtim. Nga Koncili II i Vatikanit, tek Sinodi aktual kushtuar familjes, nënvizoi, provuam gjithnjë më fort nevojën e bukurisë, që ka ecja së bashku. Kujtoi edhe se që në fillim të papnisë së tij deshi ta vlerësonte Sinodin, që përbën një  nga pasuritë më të çmuara të Koncilit.

Zoti kërkon nga Kisha të ecë në udhën e sinodalitetit

Françesku kujtoi se Papa Pali VI kërkonte që, me Sinodin “të ripropozonte figurën e Koncilit ekumenik dhe të pasqyronte Shpirtin e metodën e tij”. Citoi edhe fjalët e Gjon Palit II, që mendonte për përmirësimin e mjetit sinodal, në mënyrë që përgjegjësia kolegjiale baritore të mund të shprehej akoma më plotësisht në Sinod.

Duhet ta vijomë këtë rrugë, porositi Papa Françesku. Bota, ku jetojmë, të  cilën jemi të thirrur ta duam e t’i shërbejmë edhe në kontradiktat e saja, kërkon nga Kisha fuqizimin e sinergjive në të gjitha fushat e misionit të saj. Pikërisht udha e sinodalieteit është çka pret Zoti nga Kisha e mijëvjeçarit të tretë. Çka kërkon Zoti, në një farë mënyre, përmblidhet plotësisht në fjalën ‘Sinod’. Të ecësh së bashku - Laikë, Barinj, Ipeshkëv i Romës – është koncept i lehtë për t’u shprehur me fjalë, por aspak i lehtë për t’u vënë në jetë.

T’i besojmë nuhatjes së popullit të Zotit

Françesku vuri theksin pikërisht tek nuhatja e Popullit të Zotit në dallimin  e udhëve të reja, që hap Zoti për Kishën. Populli i Zotit, rikujtoi, është shenjt falë vajimit të marrë nga Zoti, gjë që e bën “të pagabueshëm duke besuar”.

Kisha sinodale është Kishë e dëgjimit

 Kisha sinodale është Kishë e dëgjimit - vijoi Papa Bergoglio - dëgjon, me vetëdijen  se të dëgjosh është diçka më shumë se të ndjesh. Është dëgjim reciprok, nga i cili mund të mësojë gjithkush. Populli besimtar, Kolegji episkopal, Ipeshkvi i Romës: njëri në dëgjim të tjetrit e të gjithë në dëgjim të Shpirtit Shenjt, për të kuptuar ç’i thotë Shpirti Kishave. Udha sinodale, kujtoi Françesku, nis duke dëgjuar popullin e vijon duke dëgjuar barinjtë.

Kisha e sinodi janë fjalë sinonime, fjalë, që të kujtojnë ecjen së bashku me Grigjën e Zotit. “Fakti që sinodi vepron gjithnjë cum Petro et sub Petro – domethënë jo vetëm me Pjetrin - theksoi rishtas – por edhe sub Petro nuk është kufizim i lirisë, por garanci e unitetit”. Françesku vuri theksin mbi decentralizmin, me bindjen se paria e Papës ndriçohet më shumë nga një Kishë sinodale. E, në një horizont të tillë, edhe vetë Pasardhësi i Shën Pjetrit nuk është tjetër, veçse “shërbëtor i Shërbëtorëve të Zotit”. Pa harruar se për dishepujt e Krishtit dje, sot e përgjithmonë autoriteti i vetëm është ai i shërbimit, pushteti i vetëm, ai i Kryqit!

Në përfundim Papa Françesku kujtoi se Kisha sinodale është si flamur që shpaloset mbi Kombet, në një botë “ku ndodh shpesh që fati i popullsive të tëra bie në duart e grupeve të ngushta, të pangopura, që e përvetësojnë gjithë pushtetin”. Mund ta ndihmojë, prandaj, edhe shoqërinë civile për të krijuar frymën e vëllazërimit:

“Si Kishë, që ecën së bashku me njerëzit e që merr pjesë në trazirat e historisë, ushqejmë ëndrrën se rizbulimi i dinjitetit të paprekshëm të popujve dhe i funksionit të shërbimit nga ana e autoriteteve, mund ta ndihmojnë edhe shoqërië civile  të  bazohet mbi drejtësinë e vëllazërinë, duke krijuar një botë më të mirë e më të denjë për njeriun e për breznitë që do të vijnë pas nesh”.








All the contents on this site are copyrighted ©.