2015-10-16 11:37:00

Papa viziton pa lajmëruar bujtinën e të pastrehëve pranë Vatikanit


Në përfundim të punimeve të Sinodit, rreth orës 19.00 të ditës së djeshme, Papa Françesku shkoi për të vizituar të pastrehët në fjetoren e re, përuruar vetëm pak ditë më parë në via dei Penitenzieri”, në sallat e vëna në dispozicion nga Kuria e Përgjithshme e Shoqërisë së Jezusit.

         Qe çast jashtëzakonisht mallëngjyes e i papritur. Ati i Shenjtë u prit nga Lëmoshtari, imzot Konrad Krajevski, nga eprori i jezuitëve, atë Adolfo Nikolas dhe nga tre murgesha, që shërbejnë në këtë bujtinë të veçantë, së bashku me vullnetarët. 30 të strehuarit, pjesa më e madhe e të cilëve janë italianë, e falenderuan Papën që më fund, kanë një çati mbi krye e një shtrat, i treguan historitë e tyre, i kërkuan bekimin: gjithçka në një atmosferë entuziazmi e gëzimi. Ati i Shenjtë foli me secilin prej tyre e pastaj deshi ta shohë personalisht strukturën. Vizita zgjati rreth 20 minuta.

         Fjetorja, që mban emrin “Dhuratë e Mëshirës”, ndodhet në afërsi të Spitalit të Shpirtit Shenjt. U hap më 7 tetor, në përkujtimin liturgjik të Zojës Rruzare. Bashkësia e jezuitëve deshi t’i përgjigjej kështu, thirrjes së Papës për t’i përdorur strukturat në favor të njerëzve në vështirësi. Në bujtinën pranë Vatikanit mund të strehohen deri në 34 vetë. Aty shërbejnë motrat e Nënë Terezës, që kanë struktura të ngjashme pranë Stacionit Termini dhe Shën Gregorit në Çelio, gjithnjë në Romë. Ato ndodhen edhe afër bujtinës me shtëpinë “Dhuratë e Marisë”, ku strehohen vajza e gra në vështirësi, por edhe mblidhen ushqime e veshmbathje për t’ua dhënë çdo ditë të varfërve. Punimet e fjetores së re janë financuar nga Lëmoshtaria Apostolike, pra përmes parave që mblidhen nga shpërndarja e pergamenave me Bekimin e Papës, por edhe nga bujaria e njerëzve.








All the contents on this site are copyrighted ©.