2015-10-16 13:50:00

Papa të rinjve: mos kini frikë! 37 vjet më parë, zgjedhja e Wojtyl-ës


“Të dashur të rinj, mos kini frikë të jepni gjithçka. Krishti nuk ju zhgënjen kurrë!”. Është tweet-i i botuar sot nga Françesku në Twitter@Pontifex. Fjalët të kujtojnë menjëherë shprehjen e famshme “Mos kini frikë, hapjani portat Krishtit!”, të Shën Gjon Palit II, shqiptuar në Meshën për fillimin e  Papnisë. E pikërisht sot përkujtohet 37-vjetori i zgjedhjes së Papës polak në katedrën e Shën Pjetrit. Për herë të parë, pas vitit 1523, zgjidhej një papë jo italian:

“Hirësitë e tyre Kardinajtë – pati thënë Shenjti i ardhshëm, duke dalë në Lozhën qëndrore të Bazilikës së Shën Pjetrit – thirrën një ipeshkëv të ri për Romën. E thirrën nga një vend i largët…i largët, por gjithnjë i afërt për bashkimin në fe në traditën e krishterë”.

“Pata frikë ta pranoj këtë emërim – pohoi Karol Wojtyla, duke nënvizuar devocionin e tij marian – por e bëra këtë në frymën e bindjes ndaj Zotit tonë Jezu Krishtit e me besim të plotë në Nënën e Tij,  Zojën e Shenjtnueshme”.

“Nuk e di nëse mund të shprehem në gjuhën tuaj .. në gjuhën tonë italiane, vijoi, i ndjekur nga duartrokitjet e stuhishne të besimtarëve, mbledhur me shumicë në Sheshin e Shën Pjetrit. Por, nëse gaboj, do të më korrigjoni. E kështu ju parqitem ju të gjithëve, për të dëshmuar fenë tonë të  përbashkët, shpresën tonë, besimin tonë në Nënën e Krishtit e në Kishën, e edhe për të nisur përsëri ecjen në rrugën e historisë së Kishës, me ndihmën e Zotit e me ndihmën e njerëzve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.