2015-10-16 16:54:00

Në Sinod flasin delegatët vëllezër dhe dëgjuesit laikë


Unitet në larmi: kështu, thënë përmbledhtas, mund ta përshkruajmë atmoseferën në të cilën u zhvillua sot paradite Sinodi kushtuar familjes. Në Kongregacionin e 12-të të përgjithshëm u dëgjuan 12 delegatët vëllezër të pranishëm në Sinod, si përfaqësues të konfesioneve të ndryshme të krishtera. U ndoqën edhe dëshmitë e dëgjuesve laikë.

Martesa të përzjera, mundësi për udhën ekumenike

Të shumta, mendimet e dhëna gjatë diskutimeve të delegatëve vëllezër: nga martesat e përzjera, për të cilat u theksua rëndësia që kanë në udhën ekumenike, tek reflektimi mbi familjet në krizë, që presin nga Kisha ngushëllim e mirëpritje, shoqërim e jo gjykim. Larg sjelljeve të rrepta, u kujtua, Kisha duhet t’u tregojë besimtarëve bukurinë e Sakramentit bashkëshortor.

Familja është djepi i dashurisë së Zotit, përballë sfidave bashkëkohore

Delegatët vëllezër pohuan edhe se familja është djep i dashurisë së Zotit e se i ngjet, në një farë mënyre, një bashkësie monastike, ku respektohen kushtet e pastrisë, të varfërisë e të bindjes, domethënë besnikëria bashkëshortore, ndarja e përbashkët e pasurive dhe lëshimi i plotë në dorë të Zotit. Nuk munguan edhe diskutimet rreth problematikave kryesore bashkëkohore, si homoseksualiteti, ligjshmëritë që synojnë ta përkufizojnë përsëri martesën, drama e luftës dhe e emigrantëve në Lindjen e Mesme dhe varfëria, të gjitha elemente - nënvizuan delegatët vëllezër - që  sfidojnë institucionin e familjes, e cila duhet mbrojtur e kujdesuar.

Çka bashkon, është diçka më shumë se çka ndan

Në qendër të vëmendjes edhe tema e bijësimit të fëmijëve, si dhe ajo e rëndësisë që kanë Shkrimi Shenjt dhe lutja e përbashkët në gjirin e familjeve. Anëtarët e familjes duhet të jenë dëshmitarë të gëzimit, që buron nga Ungjilli, nënvizuan. E së fundi, delegatët vëllezër vlerësuan lart punimet sinodale dhe shprehën dëshirën për të ecur së bashku në udhën ekumenike, sepse, u theksua, ajo që na bashkon, vlen shumë më tepër se ajo që na ndan.

Dëshmitë e dëgjuesve laikë

Pas dëgjimit të delegatëve vëllezër, Sinodi u krijoi mundësinë të flasin edhe dëgjuesve e dëgjueseve, të pranishme në sallë: ndërmjet tyre, shumë çifte e edhe gra, që dëshmuan bukurinë e martesës e të jetës familjare,  e cila niset nga dashuria e vërtetë, por edhe vetëdijen për sfidat, që i duhet të përballojë sot. Kërkuan një përgatitje më të përshtatshme për martesë, një shikim të aftë për t’i parë farët e shpresës edhe në familjet në krizë, vëmendje më të madhe për viktimat e shpërdorimeve edhe nga ana e disa klerikëve, përpjekje për ta dëgjuar e për ta kuptuar deri në fund dhimbjen e prindërve të tyre.

Gjatë dëshmive u theksua se në shoqërinë bashkëkohore, fëmijët e pleqtë bëhen gjithnjë më shumë viktima të përjashtimit e trajtohen si hedhurina. Së fundi, u vu në dukje edhe vlera e gruas në familje. U shfletuan, me këtë rast, faqet e hidhura të dhunës shtëpijake, por edhe bukuria e shpirtit femëror e flijimet e pashoqe për familjen, pa harruar aftësinë e grave për të dhuruar jetën e për të trasmetuar fenë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.