2015-10-16 15:14:00

Françesku: të çlirohet njerëzimi nga uria; jo, sundimit të fitimit


Të vihet në jetë agjenda 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm, që të mos mbetet një tërësi rregullash. Është një nga fragmentet e mesazhit të Papës Françesku për drejtorin e përgjithshëm të Fao-s, Josè Graziano da Silva, me rastin e Ditës së sotme Botërore të Ushqimit me temë: “Mbrojtje shoqërore e bujqësi, për të ndërprerë ciklin e varfërisë në fshatra”. Në mesazh, Papa kërkon të shumëfishohen përpjekjet  me qëllim që njerëzimi të çlirohet nga uria dhe denoncon përsëri sistemin ekonomik, që favorizon pabarazinë.

“A është e mundur që të konceptohet ende një shoqëri, në të cilën pasuritë janë në dorë të pakicës, ndërsa më pak të privilegjuarit detyrohen të mbledhin vetëm thërimet?”. Papa Françesku ua drejton këtë pyetje ndërgjegjeve të mbarë njerëzve e, posaçërisht, të liderëve të kombeve. Rasti për këtë është Dita Botërore e Ushqimit e mesazhi i Papës i drejtohet Fao-s. Edhe një herë Françesku kritikon sistemin ekonomik, “që favorizon shpërndarjen e padrejtë të fryteve të tokës”. E kujton: “Jetojmë në një epokë, në të cilën kërkimi i ethshëm i fitimit, përqendrimi mbi interesat e veçanta dhe efektet e politikave të padrejta, ngadalësojnë veprimtarinë brenda vendeve ose pengojnë bashkëpunimin e frytshëm në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare. Jemi, kështu, para një problemi dramatik, që  ka të bëjë me 2/3-tat e popullsisë botërore, së cilës i mungon edhe mbrojta më fillestare shoqërore.

Agjenda OKB-së për Zhvillimin të mos mbetet një tërësi rregullash – bën thirrje Papa. - Njerëzimi duhet çliruar nga uria. Nuk mjaftojnë propozimet e mira – kujton. E në përfundim u drejtohet posaçërisht të krishterëve, duke i porositur të impenjohen në luftën kundër çdo lloj padrejtësie. Kisha – pohon - nuk ka misionin t’i trajtojë drejtpërdrejt këto probleme në këndvështrimin teknik. Por nuk mund t’i sodisë me indiferencë  aspektet njerëzore të këtyre situatave. E kjo kërkon vullnet të fortë për t’i përballuar padrejtësitë, që i shohim e i prekim ditë për ditë.  Posaçërisht ato, që fyejnë dinjitetin njerëzor. Janë fakte, vijon Françesku, që u bëjnë thirrje të krishterëve të japin kontributin e tyre aktiv e të shfrytëzojnë profesionalitetin e tyre përmes formave të organizimit, në ndihmë të zonave bujqësore.

Papa vë, kështu, theksin, mbi mbrojtjen shoqërore të njerëzve më të varfër dhe kërkon të konkretizohet “dashuria shoqërore”, që është kyçi i zhvillimit të vërtetë!








All the contents on this site are copyrighted ©.